Vendosni fjalën kyçe....

Nuk ndalen sulmet në Gaza, në mesin e të vrarëve edhe fëmijë


Izraeli ka vazhduar bombardimet në Gaza gjatë natës, ndërsa raportohet se disa fëmijë janë në mesin e të vrarëve nga sulmet në Khan Younis dhe Rafah në jug. Kohët e fundit, SHBA aleati më i ngushtë i Izraelit ka treguar shqetësim në rritje për numrin e viktimave civile dhe krizën humanitare të shkaktuar nga lufta.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se bisedimet e tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për kalimin në një fazë më të saktë të operacioneve ushtarake kishin qenë “konstruktive”, raporton BBC.

Në Uashington, Presidenti i SHBA Biden tha se nuk donte që Izraeli të ndalonte së ndjekuri Hamasin, por donte që ai “të fokusohej në mënyrën se si të shpëtonte jetë civilësh”. Sot, Sullivan do të takohet me zyrtarët e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në një zhvillim tjetër, forcat speciale izraelite thuhet se kanë gjetur trupin e një pengu izraelit, Elia Toledano, i cili u rrëmbye nga Hamasi nga një festival muzikor më 7 tetor. Më shumë se 100 pengje mendohet se janë ende gjallë në Gaza.