Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: A nuk u themelua PD-ja si parti e votës së lirë? Mosbindje civile deri në  largimin e Ramës


Ish-kryeministri Berisha, për të cilin SPAK ka kërkuar në Kuvend lejen për arrestimin, tha nga Gjirokastra se demokratët e PD-ja kanë marrë përsipër misionin e ri që është rrëzimi i qeverisë Rama përmes mosbindjes civile.

Gjatë fjalës së tij ai akuzoi kryeministrin dhe ministrat e qeverisë për lidhje me krimin e orgaizuar.

“Kthesa që kërkohet nga ne, nga çdo demokrat dhe demokrate, ka të bëjë me misionin e ri që duhet të marrë përsiper PD, të përmbysë me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, atë që erdhi me termin rilindje në vitin 2013 dhe u vërtetua si një revansh primitiv hakmarrës ndaj demokracisë dhe përfundoi në një diktaturë bande, në një diktaturë krimi, në një diktaturë të shpërbërjes së arritjeve tona. Sot, ne mblidhemi këtu në një moment kur Shqipëria sundohet nga një regjim, në të cilin krimi me lidhjet e tij gjer te kryeministri, në të cilin kartelet e drogës, nga Sinaloa e Meksikës, e udhëhequr nga dy shqiptarë, tek ato të Kolumbisë, Ekuadorit dhe Shqipërisë, kanë lidhje me zyrën e kryeministrit. Mblidhemi në një kohë kur krimi dhe bandat kanë caktuar ministër të rendit, eksponentin kryesor të tyre. Mblidhemi sot në një moment kur krimi vendos kudo, jo vetëm me këto lidhje, por edhe me grykën e revoles, në rrugë dhe në qelitë e burgjeve me sigurinë më të lartë.” – tha Berisha.

Ai shtoi më tej se PD-ja u themelua si parti e votës së lirë që e solli atë në Shqipëri duke përzënë ata që erdhën në pushtet me armë e rebelim si në vitin 1997.

“A nuk u themeluam ne si parti e votës së lirë? Ne sollëm votën e lirë në Shqipëri, ne i përzumë me votën e lirë ata që erdhën me armë dhe rebelim komunist në vitin 1997. Ne dorëzuam pushtetin me votën e lirë dhe ne mbetemi dhe do jemi të betuar, të gatshëm për të paguar çdo çmim për votën e lirë të shqiptarëve. Ndaj dhe sot lypset kthesa. Sot pritet vendimi ynë. Natyrisht mbase ka pasur keqkuptim, mbase është kuptuar se ne ditën e zgjedhjeve do rrëmbejmë armët për të mos lejuar grabitjen. Jo, nuk ishte ajo kuptimi i zotimit tonë. Kuptimi i zotimit tonë ishte se ne do verifikojmë çdo vjedhje dhe se ne hajdutit nuk do ia falim kurrë votën. Ky ishte kuptimi i atij zotimi. Ndaj dhe ne e kemi detyrim premtimin që u dhamë shqiptarëve që do mbrojmë votën tuaj. Ndaj sot jemi në sheshin e betejës për t’i thënë hajdutit se ti votën e vjedhur nuk do e gëzosh kurrë.” – shtoi ish-kryeministri.