Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutimi në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, pistat, dyshimi mbi armën, arrestimet (Kronologjia e krimit)


Një ngjarje tejet e rëndë ndodhi dje në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku i dënuari me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë, Sokol Mjacaj, qëlloi për vdekje një tjetër të burgosur, Arben Lleshin e plagosi Indrit Shaqjan.

35-vjeçari i qëlloi dy të burgosurit e tjerë me një armë zjarri pistoletë, e cila nuk dihet ende si është futur brenda burgut të sigurisë së lartë, ngjarje që është në hetim  e sipër.

Sokol Mjacaj vrau në vitin 2015 2 turistë çekë (27-vjeçarin Mikael Svatos e 36-vjeçaren Ana Kosinova) në zonën e Dukagjinit, ngjarje për të cilën është dënuar me burg përjetë.

Viktima Arben Lleshi

Si ndodhi ngjarja

Sokol Mjacaj qëlloi 5 herë me pistoletë nga dritarja e qelisë Arben Lleshin, i cili u godit me dy plumba ndërsa Indrit Shaqja, mori një plumb e u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se Mjacaj kishte më shumë se 3 javë që e kishte pistoletën brenda burgut, ndërsa nuk dihet ende sesi ka mundur të mos pikaset nga shërbimet e sigurisë brenda një burgu si ai i Peqinit, një institucion i sigurisë së lartë.

Sipas policisë, dyshohet se Mjacaj e mbante pistoletën me vete edhe gjatë kohës kur dilte për ajrim.

Sokol Mjacaj

Arma brenda burgut

Fillimisht u raportua se Mjacaj e kishte futur brena pistoletën përmes një droni megjithatë nuk ka ende një qëndrim zyrtar për këtë dhe çështja  është ende e pazbardhur. Mjacaj vetë ka pohuar se e ka marrë armë dorazi po nuk e ka zbuluar emrin  e personit që ia ka sjellë.

Burgu i Peqinit

Kush ishte Arben Lleshi

Viktima ishte dënuar me burg përjetë për vrasjen e më ëpas djegien e Agim Hoxhës në Angli, ngjarje e ndodhur në vitin 2012. Pas ngjarjes së rëndë, katër familjarë të Arben Lleshit janë vrarë  në harkun e disa viteve, ngjarje që dyshohet se ka lidhje me vrasjen e Hoxhës.

Më 30 tetor 2013, u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Ky i fundit, më 5 gusht 2020 u rrëmbye më 5 gusht 2020 pasi sapo kishte dalë nga shtëpia e më pas nuk u gjet më.

Më 15 maj 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhaviti  Lleshit që  ishte vrarë 3 vite më parë.

Në vitin 2017 u rrëmbye në Burrel Artan Lleshi, djali i Hajredinit, i cili më pas nuk është parë më.

Dy turistët çekë të vrarë nga Mjacaj në vitin 2015

Çfarë ka dëshmuar Sokol Mjacaj

Sipas dëshmisë në polici, autori i vrasjes së Lleshit, ka deklaruar se e kishte qëlluar Lleshin pasi ky i fundit nuk e kishte pranuar në sektor. Megjithatë pista kryesore e hetimit është se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, të porositur nga jashtë.

Ai ka pohuar se armën e kishte brenda prej më shumë se një muaji. Dy muaj më parë, Mjacaj është takuar me familjarët e tij që kishin ardhur për ta vizituar në burg.

Sokol Mjacaj

Rrjedhojat

Pas ngjarjes së rëndë, policia ka arrestuar drejtorin e burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, shefin e policisë së burgut Qani Muça, ish-shefin e policisë së burgut Nikolin Gjonpalaj, shefin e regjimit në burg Vilson Shima, specialistin e informacionit në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 3 policë shërbimi, Ilir Balla, Florent Mile e Fatos Pire si dhe 4 policë të burgut, Genci Muça, Klement Hakam Erjon Çila e Indrit Dubali

Mjacaj u ndalua rreth një orë pas krimit pas ndërhyrjes së RENEA-s dhe pas garancisë që iu dha se nuk do i cenohej jeta.