Vendosni fjalën kyçe....

Pezullimi i marrëveshjes për emigrantët nga Kushtetuesja, Rama: Provë që nuk i kontrolloj gjykatat


Edi Rama me ftesë te homologes, Georgia Meloni, po qëndron në shtetin fqinj të Italisë.

Ai u pyet nga gazetarët për marrëveshjen e nënshkruar për pranimin e emigrantëve, por si dhe për pjesën që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht atë.

Me këtë Rama iu përgjigj kritikëve, të cilët e akuzojnë se kontrollon gjykatat në vend. Marrë shkasë nga ky pezullim që Kushtetuesja i ka bërë marrëveshjes para ratifikimit, Rama tha se kjo është një provë, e cila fakton se ndarja e pushteteve në Shqipëri është e qartë.

“Kjo është provë që nuk i kontrolloj gjykatat në Shqipëri. Marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese, të shohim të presim, me qetësi vendimin. Deri në mars është kufiri kohor, por jam besimplotë se vendimi do të merret shumë më parë sepse është marrëveshje shume e rëndësishme mes dy shteteve, sepse dy vendet duan të dinë nëse duhet të ecet para”, tha ai.

Ai theksoi se kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë është një përpjekje për t’i gjetur një zgjidhje, në një kohë kur vendet e BE-së mes njëra tjetrës nuk kuptohen siç duhen.

“Është një përpjekje për të gjetur zgjidhje, në një situatë ku është e qartë se be nuk ia del të kuptohet njëri me tjetrin për zgjidhje dhe nuk kuptohet mes vet për zanafillën e problemit”, theksoi ai.

Kryeministri u pyet nëse këtë marrëveshje do ta kishte bërë me vendet e tjera, për këtë Rama dha përgjigje të prerë: “Jo! Ne kemi pasur kërkesa me vendet e tjera të BE, por ne kemi thënë jo. Italia është një vend si motër”, tha ai.

Ai theksoi se pavarësisht se Shqipëria nuk bën pjesë në BE, kjo nuk e bën atë një vend jo evropian, por përkundrazi. Shefi i qeverisë tha se populli shqiptar ka dëshmuar vlerat e tij pro-perëndimore.