Vendosni fjalën kyçe....

SHBA do të ketë qasje në 15 baza ushtarake në Finlandë


Finlanda do të nënshkruajë një marrëveshje të mbrojtjes javën e ardhshme duke i dhënë Shteteve të Bashkuara qasje në 15 baza ushtarake të anëtarit më të ri të NATO-s, tha të premten ministria finlandeze e mbrojtjes.

“Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes (DCA) do të nënshkruhet në Uashington” të hënën nga ministri i mbrojtjes Antti Hakkanen dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha ministria e punëve të jashtme.

Më pas, traktati duhet të miratohet nga parlamenti i vendit nordik.

“Marrëveshja do të forcojë mbrojtjen e Finlandës sepse mundëson praninë dhe trajnimin e forcave amerikane dhe dislokimin e pajisjeve mbrojtëse në territorin e Finlandës”, shtoi ministria e jashtme e Finlandës. “Ajo do të mbështesë gjithashtu zbatimin e masave frenuese dhe mbrojtëse të NATO-s.”

Ministrja e Jashtme Elina Valtonen do të jetë e pranishme në Uashington gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, dhe për të takuar Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje të ngjashme me Suedinë më 6 dhjetor që i jep Uashingtonit qasje në 17 baza ushtarake.

Shqetësimet e ngritura nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, bënë që Finlanda dhe Suedia të braktisin politikën e mos-angazhimit ushtarak dhe të aplikojnë për anëtarësim në NATO.

Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill, ndërsa Suedia ende është në pritje të miratimit të kërkesës së saj nga anëtarët e NATO-s, Hungaria dhe Turqia./VOA