Skanera kontrolli për armë e celularë që nuk punojnë, kamera vëzhgimi jashtë funksionit dhe të dënuar me burgim të përjetshëm që lëvizin me armë brenda burgut nga sektori i sigurisë së lartë në ambientet e ajrimit deri tek ambientet e përbashkëta. Hetimet e prokurorisë së Elbasanit kanë zbuluar se ky ka qenë terreni që shfrytëzoi i dënuari përjetë për vrasjen e turistëve çekë Sokol Mjacaj për vrasjen e Arben Lleshit, të mbyllur në qeli për 32 vjet me akuzën e vrasjes.
Report TV mëson se shqetësimet për sigurinë në burgun e Peqinit kanë nisur që prej muajit tetor, edhe pse gjithçka është mbajtur larg vëmendjes së publikut, dhe pa transparencë. Si pasojë e këtyre problemeve, rreth tri javë më parë, drejtori i mëparshëm i burgut është shkarkuar.
Drejtimin e burgut të Peqinit e ka marrë titullari i ri, Kamber Hoxha, që drejtonte institucioni edhe ditën e ngjarjes së rëndë më 15 dhjetor, kur i dënuari vrau brenda në qeli Arben Lleshin dhe plagosi shokun e qelisë, Indrit Shaqja.
Pikërisht në kohën e këtyre ndryshimeve, arma e përdorur në vrasje ka hyrë brenda burgut ne rrethana ende të paqarta.
“Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes së personit nën hetim Sokol Mjacaj dhe akteve të administruara, arma e zjarrit është futur në IEVP Peqin dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjaca për një kohë rreth 20 dite. Gjithashtu kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi brendshëm).”– njofton prokuroria.
Prokuroria thotë se punonjësit e shërbimit, nuk kanë kryer kontrollin fizik, në momentin e daljes së të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme.
Por një fakt i ri që del nga prokuroria, është se Sokol Mjacaj ka qenë edhe më herët në sistemin 41 BIS, dhe transferimi i tij nga ai sistem në repartin B të sigurisë së lartë ku ndodhi vrasja, është bërë sërish pa asnjë kontroll, duke ngritur kështu dyshimet se ai e ka mbajtur armën edhe në atë sistem, një fakt që nuk konfirmohet por të paktën as nuk hidhet poshtë nga mungesa e akt kontrollit dhe pamjeve të kamerave.
“Gjatë transferimit nga ambjentet e godinës të emërtuar si 41 BIS ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjaca rezulton se nuk është kryer procedura standarte e kontrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë.”– njofton prokuroria.
Drejtori i burgut së bashku me 11 punonjës janë tashmë nën akuzë nga prokuroria për ngjarjen e rëndë të ndodhur ndërkohë që ngjarja duket se ka nevojë për një hetim më të thellë të shtrirë në kohë për nxjerrjen e përgjegjësive.
Është e paqartë nëse për mosfuknsionimin e skanerave të kontrollit është ngritur shqetësimi nga burgu për instancat eprore dhe nëse prej këtyre të fundit ka pasur kontroll, por edhe kërkesë për kthimin në funksion të pajisjeve përfshirë edhe kamerat.
Lënia e skanerave jashtë përdorimit e ka “dorëzuar” sigurinë e kontrolleve tek elementi njerëzor që është i ekspozuar ndaj gabimit si për shkak të korrputimit ashtu edhe nga gabimet e mundshme.
Burimet e report tv, thonë se një pjesë e kamerave të sistemit të vëzhgimit nuk punonin ndërsa në mungesë të skanerave, kontrolli i personave dhe sendeve që hynin në burg, si ushqime, rroba apo furnizime, bëhej fizikisht me dorë nga punonjësit e policisë.
Akt akuza paraprake e prokurorisë së Elbasanit, e përshkruan kështu përgjegjësinë e dy zyrtarëve kryesorë të burgut.“Kamber Hoxha, me detyrë drejtor i IEVP Peqin, nuk ka marrë masat e duhura ligjore për menaxhimin e sigurisë në burg duke cenuar rëndë sigurinë në këtë institucion. Shefi i regjimit, me iniciale Q.M, nuk ka respektuar detyrimet ligjore të përcaktuara në skemën sigurisë së burgut për kryerjen e kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj nga godina e 41 bis në sektorin B.”– njofton prokuroria.
12 të ndaluar për “shpërdorim detyre” janë
-Drejtori i burgut, Kamber Hoxha 59 vjeç
-Shefi i policisë së burgut Qani Muç, 60 vjeç
-Ish-shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpali, 54 vjeç
-Shefi i regjimit në burg Vilson Shima, 37 vjeç
-Specialisti i informacionit në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 52 vjeç
-3 policë shërbimi Ilir Balla, 46 vjeç, Florene Mile, 43 vjeç, Fatos Pire, 50 vjeç,
-4 policë të burgut Genci Muça, 49 vjeç, Klement Haka, 44 vjeç, Erjon Çila, 36 vjeç, Indrit Dubali, 41 vjeç