Vendosni fjalën kyçe....

Aksidentet rrugore u rritën me 82% në nëntor, shkak kryesor sjellja e drejtuesit të mjetit


Aksidentet rrugore kanë vijuar të rriten edhe për muajin nëntor sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Në Nëntor 2023 numërohen 167 aksidente rrugore nga 92 të ndodhura në muajin Nëntor 2022.

Për muajin nëntor 2023, numri i aksidenteve rrugore është rritur me 81,5% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.

“Aksidentet rrugore, në 88% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 34,7% të numrit të aksidenteve gjithsej”, thuhet në njoftimin e INSTAT.

Sakaq përgjatë muajit Nëntor 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Mërkurë me 19,8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të ditën e Hënë me 8,9%.

Ndërsa numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00 duke zënë 22,8% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.

Rritjen edhe aksidentet për 11 mujorin

Për periudhën janar-nëntor 2023 numërohen 1,128 aksidente rrugore, ndërkohë numri i të aksidentuarve është 1,531 persona.

Krahasuar me periudhën janar-nëntor 2022 numri i aksidenteve rrugore është rritur 6,4%.

Sipas INSTAT për 11 mujorin e këtij viti 12% e rasteve të aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Por krahasuar me 11 mujorin e vitit të kaluar shkaku i aksidenteve për shkak të këmbësorit është ulur 6,9%. Ndërsa aksidentet për shkak të sjelljes së drejtuesit të mjetit janë rritur 4,8%.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Revista Monitor.