Vendosni fjalën kyçe....

Avancon projekti 12.7 milionë euro i nënstacionit dhe linjës 220 kV Fier – Hoxharë


Operatori i Sistemit të Transmetimit ka nisur ndërtimin e linjës 220 kV dopjo qark Fier – Hoxharë nënstacionit të ri 220/110/20 kV Hoxharë, me një vlerë prej 1.3 miliardë lekë apo rreth 12.7 milionë euro.

Së fundmi OST njoftoi dorëzimin e Vendimit të Ndikimit në Mjedis pranë institucioneve mjedisore duke nënvizuar se ky ishte detyrim ndaj autoriteteve lokale konkretisht të Fierit ku në një sipërfaqe 71 mijë m2 pritet të zëre vend nënstacioni. Me këtë hallkë i hapet rrugë përparimit të mëtejshëm të tyre. Më herët në tetor ishte Këshilli Kombëtar i Territorit që miratoi lejen respektive për projektin në fjalë.

Sipas shpjegimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis linja e re 220 kV Fier-Hoxhare ka një shtrirje gjeografike Lindje-Perëndim e cila fillon nga N/stacioni.Fier dhe përfundon në Hoxharë tek N/stacioni.ekzistues 35 kV .

“Kjo linjë ka një gjatësi prej afërsisht 20 km e cila kalon në zonë fushore rreth 16 km dhe pjesa tjetër nëpër zonë kodrinore rreth 4 km. Territori i përcaktuar për realizimin e ndërtimit të kësaj vepre ndodhet në Njësitë Administrative të Qarkut Fier. Kjo vepër përfaqësohet nga objekti i Nënstacionit si dhe linja e tensionit të lartë. N/stacioni ndodhet pranë bregdetit të Adriatikut në afërsi të grykëderdhjes së lumit Seman. Ngjitur pranë tij gjendet N/stacioni i OSHEE -së nga ana perëndimore, por ky N/stacion do të ndërtohet në disa faza” thuhet në dokument.

Investimi në këtë rajon argumentohet nga OST me zhvillimet demografike dhe ekonomike të zonës teksa janë një sërë projektesh që po zhvillohen në pjesën e Jugut të vendit që janë të lidhura direkt me energjinë dhe sidomos atë diellore.

Më herët në një intervistë për “Monitor” administratori i OST Skerdi Drenova nënvizoi se projekti pritet të finalizohet në vitin 2025.

“Ky është një investim i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve akomoduese të rrjetit në zonën Fier-Lushnjë-Vlorë, në funksion të mbështetjes së politikës së divesifikimit të burimeve të energjisë elektrike dhe lidhjen e centraleve të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë (BRE). Kontrata është lidhur në muajin shkurt të vitit 2023 dhe projekti pritet të finalizohet brenda tremujorit të dytë të 2025” pohoi Drenova.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor