Kreu i PD-së së Rithemelimit pak para nisjes së protestës, deklaroi fillimin e betejës pa kthim kundër Edi Ramës.
“Jam sot këtu për të shpallur fillimin e betejës më të madhe pa kthim, kundër Edi Ramës. PD është vendosur që t’i përgjigjet dhëmbë për dhëmbë sundimit të Ramës, bazuar në krimin, drogën, vjedhjet e shqiptarëve. Sot çdo demokrat i vërtetë ndihet një luftëtar dhe luftëtare e lirisë.”, deklaroi Berisha.
Ndërsa më tej Berisha tha se nuk do marrë pjesë në Këshillin e Mandateve ku do diskutohet lejimi i zbatimit të masës së kërkuar nga SPAK-u.
“Larot e Ramës, paraqiten në komisionin e mandateve të parlamentit, pasi kanë kryer pucin kushtetues. I kanë marrë pushtetin parlamentit, me urdhër të Edi Ramës, kanë shkelur me dy këmbët kushtetutën. Sot paraqiten si gardë mbi parlamentin, kushtetutën, për të kërkuar jo vendosjen e masave, por për të kërkuar legjitimimin e vendimit të tyre antikushtetues, madje rëndimin e vendimit. Jo se ka ndryshuar asgjë, se në akuzë janë zero, por se unë kundërshtova këtë vendim si element të pucit, të shtetit brenda shtetit. Sot këta prokurorë paraqiten në parlament pasi kanë rishkruar në zyrat e tyre me urdhër politik kushtetutën e vendit. Paraqiten në parlament Pasi i kanë hequr parlamentit kompetencën kushtetuese për heqjen e lirisë së deputetit.
Iu adresuam GJK jo për Sali Berishën, por për të mbrojtur pushtetin e parlamentit. Imuniteti nuk është mbrojtje për deputetin, por për parlamentin dhe funksionimin e tij. Për ti treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë. Edi Rama dhe larot e tij vrapuan drejt parlamentin për ti kërkuar zëvëndësimin e masave anti kushtetuese që kanë dhënë ndaj meje, me masa më të rënda arrest me burg ose arrest shtëpie, ky është një poshtërim i parlamentit, është shpallja e tij një zyrë legalizimi i veprimeve të paligjshme.
Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision të pranoja një poshtërim të tillë kushtetues”-deklaroi Berisha.