Gjermania dhe Lituania nënshkruan të hënën një udhërrëfyes për atë që do të bëhet dislokimi më i madh i trupave gjermane në tokë të huaj në epokën moderne. Sipas planit, brigada prej 5,000 trupash do vendoset më pak se 20 km nga kufiri me Bjellorusinë, aleati kryesor i Moskës.
Lituania gjithashtu ndan një kufi me enklavën më perëndimore të Rusisë, Kaliningrad.
Marrëveshja u vulos gjatë vizitës së ministrit gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius në vendin baltik, ku ai u takua me homologun e tij lituanez, Arvydas Anusauskas. Berlini tashmë drejton një forcë shumëkombëshe të NATO-s e stacionuar në vend dhe vendosi të rrisë praninë e tij ushtarake vitin e kaluar.
Pistorius e përshkroi vendosjen e ardhshme si një mënyrë për kombin e tij për të “marrë përgjegjësinë udhëheqëse” brenda bllokut ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja. Anusauskas u zotua të sigurojë “kushtet më të mira të mundshme për ushtarët gjermanë dhe anëtarët e familjeve të tyre”, për të cilat Lituania do jetë përgjegjëse.
Gjermania planifikon të mbajë 4800 trupa dhe 200 specialistë civilë në vend në mënyrë të përhershme, të kompletuar me armatim të rëndë dhe strukturë mbështetëse. Zhvendosja do fillojë në tremujorin e dytë të 2024-ës, ndërsa brigada është planifikuar të arrijë gatishmërinë e plotë luftarake deri në vitin 2027, sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes.
Lituania tha se shumica e trupave të huaja do vendosen në terrenin e stërvitjes Rudninkai në juglindje të vendit, afër Bjellorusisë. Pjesa tjetër do strehohet nga një objekt ushtarak pranë fshatit Ruklë. Vilniusi dhe Kaunasi, qytetet më afër bazës, janë vendi ku do jetojnë shumë nga anëtarët e familjeve të trupave gjermane, tha ushtria e vendit.
Njësia e ardhshme gjermane quhet Brigada e rëndë e 42-të e blinduar nga Bundesëehr dhe do përfshijë tre batalione luftarake. Dy prej tyre janë vetëm gjermanë dhe përfshijnë një batalion të blinduar dhe një batalion të rëndë këmbësorie. E treta do të jetë një njësi shumëkombëshe e bazuar në forcën e dislokuar aktualisht.