Vendosni fjalën kyçe....

Hungaria: Do ta ndalojmë Bullgarinë të hyjë në Shengen nëse ajo nuk heq taksën shtesë për gazin rus


Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Peter Szijjarto, deklaroi se ata do të vënë veto ndaj hyrjes së Bullgarisë në Zonën Shengen nëse ajo nuk heq taksën shtesë që vendos për gazin natyror rus që arrin në vendin e saj nëpërmjet gazsjellësit “TurkStream”, transmeton Anadolu.

Sipas The Politico news, Szijjarto bëri një deklaratë në lidhje me hyrjen e Bullgarisë në zonën Shengen.

Szijjarto deklaroi se Bullgaria shfaqi një “qëndrim armiqësor” duke vendosur taksa shtesë për gazin natyror që shkon në Hungari përmes gazsjellësit “TurkStream”.

“Ky vendim i Bullgarisë, i cili është plotësisht në kundërshtim me legjislacionin evropian, paraqet rrezikun e ndalimit të furnizimit me gaz”, theksoi ministri Szijjarto.

“Ne u kemi thënë qartë bullgarëve se nëse ata vazhdojnë këtë praktikë dhe rrezikojnë furnizimin me energji të Hungarisë për një kohë të gjatë, ne do të vëmë veto për hyrjen e tyre në zonën Shengen”, tha Szijjarto.

Në tetor, administrata e Sofjes filloi të vendosë një taksë shtesë prej rreth 10 euro për metër kub për gazin natyror që shkon në vende të tjera përmes territorit të saj.