Vendosni fjalën kyçe....

Partia e krahut të djathtë në Gjermani siguron fitoren “historike” në zgjedhjet vendore


Partia e krahut të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka fituar për herë të parë zgjedhjet për kryetar bashkie, duke bërë histori në qytetin sakson të Pirnas. Fitorja vjen më pak se dy javë pasi autoritetet rajonale e cilësuan AfD-në si “ekstremiste”.

AfD-ja ka gëzuar një mbështetje në rritje midis votuesve gjermanë muajt e fundit, në një kohë kur vlerësimet e miratimit të të tre partive në koalicionin qeverisës të vendit kanë rënë.

Tim Lochner, i cili përfaqësonte AfD-në, mori 38.5% të votave në raundin e dytë të votimit të dielën, përpara kandidates së Unionit Kristian Demokrat (CDU) Kathrin Dollinger-Knuth me 31.4%.

Kandidati i AfD-së kishte fituar 33% të votave në raundin e parë të votimit më 26 nëntor, megjithëse asnjë nga pesë kandidatët nuk siguroi shumicën absolute të nevojshme për të fituar plotësisht, duke e çuar votën në një fazë të dytë.

Dy nga pretendentët fillestarë dolën nga gara përpara raundit të dytë dhe u kërkuan mbështetësve të tyre të votonin për Dollinger-Knuth. Partitë e Gjelbërta dhe të Majtë e mbështetën gjithashtu në votimin e dhjetorit, megjithëse mbështetja e tyre rezultoi e pamjaftueshme për ta çuar CDU-në në vendin e parë.

Në një postim në X (ish-Twitter), bashkëudhëheqësja e AfD, Alice Weidel e përshkroi fitoren e Lochner si “historike”.

Kandidati i partisë së Votuesve të Lirë, Ralf Thiele, i cili doli në vendin e tretë me 30.1%, tha se ekziston një “prirje në mbarë vendin” që tregon se AfD-ja “po bëhet më e fortë”.

Dega e partisë së Gjelbër në Saksoni tha se ishte “e tronditur” nga rezultati i zgjedhjeve në Pirna, ndërsa partia e Majtë u bëri thirrje “të gjitha partive demokratike” të bashkohen kundër AfD-së.

Në fillim të këtij muaji, presidenti i degës saksone të Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), Dirk-Martin Christian, njoftoi se AfD-ja ishte konsideruar zyrtarisht ekstremiste për “agjendën e saj antikushtetuese”.

Statusi i ri ligjor i lejon BfV-së të vendosë mjete të mbikëqyrjes dhe inteligjencës për të mbledhur informacion në lidhje me aktivitetet e partisë së djathtë pa kufizime.

Saksonia u bë rajoni i tretë gjerman që ndërmori veprime kundër AfD-së, pas Turingisë dhe Sachsen-Anhalt.

Partia fitoi më parë 27.5% të votave në zgjedhjet e fundit rajonale në Saksoni në 2019. Në tetor, AfD-ja regjistroi paraqitjen e saj më të mirë ndonjëherë në një shtet të Gjermanisë perëndimore, duke marrë 18.4% të votave në zgjedhjet rajonale të Hessen.