Nga kontrollet e shërbimeve të Policisë, janë zbuluar 2 call centera të tjerë në kryeqytet, ku mashtroheshin kryesisht gjatë natës, shtetas në kontinente të ndryshme, që të investonin në tregje fiktive.
Si rezultat janë arrestuar Bekim Byberi, Jani Janko, Klaudio Demiri dhe Andi Lleshaj, ndërsa u sekuestruan 9000 euro, 82 njësi kompjuterike, 23 celularë, 1 DVR, 2 USB, 50 karta me numra celularësh (të kompanive të huaja) dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
“Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme, të mbeshtetura te informacionet e inteligjencës policore që janë siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe të kryera me objektiv evidentimin dhe goditjen e rasteve të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet call centerave, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “De facto”.
Gjatë operacionit: u zbuluan 2 subjekte të tjera ku kryhej kjo veprimtari kriminale, u vunë në pranga shtetasit B. B., 31 vjeç, J. J., 31 vjeç, K. D., 30 vjeç dhe A. Ll., 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë, përgjegjës te 2 call centerat, si dhe u shpallën në kërkim administratorët e këtyre subjekteve, shtetasit E. A. dhe A. O..
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, në kryeqytet, të cilat ishin regjistruar në mënyrë fiktive, si aktivitete të tjera tregtare, të ligjshme, mashtronin shtetas në kontinente të ndryshme, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneroheshin nga kjo veprimtari kriminale, pastroheshin nëpërmjet bizneseve të të afërmve të shtetasve të implikuar në këto raste.
Nga kontrollet, në të dyja call centerat u gjetën 10 punonjës të paregjistruar, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 9000 euro, 82 njësi kompjuterike, 23 celularë, 1 DVR, 2 USB, 50 karta me numra celularësh, të kompanive të huaja, dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Vijon puna për kapjen e shtetasve E. A. dhe A. O., si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për të identifikuar dhe për të arrestuar shtetasit e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për të sekuestruar asetet e përfituara në kundërshtim me ligjin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për administratorët e subjekteve ekonomike që të mos kthejnë bizneset e tyre në call centera ku mashtrohen shtetas shqiptarë apo të huaj, pasi kontrollet, bashkëpunimi me qytetarët dhe puna e inteligjencës policore, vijojnë me intensitet, dhe çdo rast i kësaj veprimtarie kriminale do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit, njofton policia.