Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli vazhdon ofensivën në Gazë, pasi SHBA rikonfirmon mbështetjen ndaj tij


Forcat izraelite bastisën të martën një nga spitalet e fundit që ende funksiononte në veri të Gazës dhe bombarduan pjesën jugore të saj me sulme ajrore që shkaktuan vdekjen e të paktën 28 palestinezëve.

Izraeli po vazhdon ofensivën pasi Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan mbështetjen ndaj tij, megjithë alarmin ndërkombëtar në rritje.

Lufta që filloi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ka shkaktuar vdekjen e 20,000 palestinezëve dhe zhvendosjen e rreth 1.9 milionë të tjerëve, ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës veriore.

Që nga fillimi i saj janë vënë gjithashtu në shënjestër objektiva të SHBA-së dhe Izraelit në të gjithë rajonin. Sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani kanë bërë që kompanitë kryesore të transportit detar – si dhe gjiganti i naftës dhe gazit BP – të pezullojnë tregtinë përmes atij korridori jetik ujor, duke nxitur SHBA-në dhe aleatët e tyre të ndërmarrin një mision të ri kundër këtij kërcënimi.

Por gjatë vizitës në Izrael të hënën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se nuk ishte atje për të diktuar afate kohore për përfundimin e luftimeve. Komentet e tij sinjalizuan se SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Izraelin përballë thirrjeve ndërkombëtare në rritje për armëpushim dhe do të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë jetike ushtarake.

Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po mban të martën një tjetër votim për një rezolutë të propozuar nga vendet arabe që bën thirrje për ndaljen e luftimeve dhe furnizimin me ndihma humanitare të Gazës. Takimi ishte parashikuar për të hënën por u shty.

Diplomatët thanë se po bëhen negociata për të bindur SHBA-në që të abstenojë ose të votojë “pro” rezolutës, pasi i vuri veton një thirrjeje të mëparshme nga Këshilli i Sigurimit për një armëpushim.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania – ndër aleatët më të ngushtë të Izraelit – iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës. Në Izrael, protestuesit kanë bërë thirrje për negociata me Hamasin për të lehtësuar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga grupi.

Ndërkohë Drejtori i CIA-s, William Burns, u takua në Varshavë me kreun e agjencisë së izraelite të zbulimit Mossad dhe kryeministrin e Katarit të hënën. Mesa dihet ky është takimi i parë mes tyre që nga armëpushimi i përkohshëm dhe lirimi i rreth 100 pengjeve në një marrëveshje që ata ndihmuan ta ndërmjetësonin.

Por zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se bisedimet nuk ishin në pikën ku mund të flitej për një marrëveshje tjetër së afërmi.

Rreth 129 persona vazhdojnë të jenë peng i Hamasit dhe militantëve të tjerë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza, të asgjësojë aftësitë e tij ushtarake dhe të lirojë të gjithë pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit. Të paktën për momentin, ai duket se ka mbështetjen e plotë të SHBA-së për një fushatë që mund të zgjasë me muaj apo vite, shkruan VOA.