Vendosni fjalën kyçe....

Panderovski: Maqedonisë mund t’i kushtojë një dekadë vonesë për integrimin mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese


Në fjalimin para përfundimit të mandatit të tij, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se gjithmonë është udhëhequr nga interesat e qytetarëve dhe të shtetit, se ka qenë transparent në punën e tij dhe nuk iu është shmangur përgjegjësive.

Duke folur për çështjen më të rëndësishme aktualisht në vendin e tij, që është ndryshimi i Kushtetutës, ai tha se “ndasitë rreth indit kombëtar lidhur me këtë çështje janë jo produktive për vitalitetin e kauzës maqedonase”.

“Me shtyrjen e ndryshimeve kushtetuese do të humbasim edhe një shans që mund të na kushtojë të paktën një dekadë jashtë integrimeve dhe kjo do të thotë përparim më i vogël ekonomik, standard më i keq për qytetarët dhe më shumë emigrim”, shtoi Presidenti Pendarovski.

Ai bëri thirrje që të “mos luhet me ndjenjat identitare të maqedonasve dhe politika të mos fusë frikë për të përfituar”. Në këtë kuadër, ai kërkoi që të ndalet lufa dhe gjuha e urretjes nëpër rrjetet sociale. Presidenti maqedonas nënvizoi shkallën e lartë të korrupsionit në gjyqësor.

“Për fat të keq, krijohet përshtypja se SHBA dhe BE janë luftëtarë më të zellshëm kundër korrupsionit tek ne sesa vetë institucionet tona. Por, sanksionet e jashtme nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me sanksione të brendshme”, tha ai.

Zoti Pendarovski sugjeroi që pas zgjedhjeve të muajit maj të bëhet një spastrim në radhët e gjykatësve dhe të prokurorëve, por së pari në mesin e politikanëve. “Për secilin që nuk ka sqarim logjik se si u bë milioner me rrogë shtetërore, duhet të ketë jo vetëm dorëheqje por edhe procedura penale”, vërejti ai.

Presidenti maqedonas vuri në dukje nevojën e ruajtjes së marrëdhënieve të qëndrueshme ndëretnike dhe orientimin perëndimor të politikës së jashtme apo vazhdimin e integrimit evropian. Ai vërejti se populizmi po fiton pushtet politik dhe ndikim në Evropë, një gjë që ndikon, sipas tij, në proceset ku përfshihet dhe Maqedonia e Veriut.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut nuk e përjashton mundësinë e rritjes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, duke nënvizuar në këtë kontekst ngjarjet në veriun e Kosovës dhe zhvillimet në Bosnjë.

Zoti Pendarovski nuk la pa përmendur edhe rastin tragjik të vrasjes së vajzës 14-vjeçe në fund të nëntorit, që e ndërlidhi me atë që ai e quajti “patologji e tranzicionit 30 vjeçar” ku kryerësit e krimeve të rënda janë mbrojtur nga struktura shtetërore.

Ndërsa, bëri thirrje edhe një herë për ndëshkimin e individëve apo grupeve që përhapin urrejtje ndëretnike dhe ndërfetare; që të mbyllen partitë politike apo organizatat të cilat veprojnë në kundërshti me atë që kanë deklaruar në dokumentet e themelimit dhe që shpërdorojnë demokracinë si vlerë e botës moderne.

Kjo është hera e pestë që Presidenti Pendarovski i drejtohet Parlamentit të vendit gjatë mandatit të tij pesëvjeçar. Ai para disa ditësh kur u pyet nëse do të kandidonte për një mandat të dytë tha se nuk ishte momenti për të menduar për këtë gjë. Më pas tha se do të kandidonte nëse e ka mbështetjen e qytetarëve.

Pendarovski ishe kandidat i Lidhjes Social Demokrate i mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet e kaluara presidenciale. Dy partitë nuk janë shprehur deri tani nëse do ta përkrahnin kandidimin e sërishëm të tij për zgjedhjet e 24 prillit.