Gazetari Elton Qyno deklaroi në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv me gazetarin Denis Minga se materialet për të cilat SPAK e mbylli në ambientet e prokurorisë dhe i sekuestroi telefonat, kishin të bënin me dosjen e operacionit ‘Plumbi i Artë’, ndërsa shtoi se nuk kishin asnjë shënim se ishin ‘sekret i klasifikuar’.
‘Janë materiale që kanë të bëjnë me dosjen e operacionit ‘Plumbi i Artë’ ndërkohë që një pjesë tjetër ka qenë sa i përket përgjimeve në SKY. Nuk kam pasur asnjë shënim sekret i klasifikuar sekret deri në 2 vjet. Këto dokumente asnjë nuk e ka dhe nuk kisha asnjë detyrim të mos e publikoja. Kam publikuar pasazhe që ndodheshin në këto dokumente. Nuk kam marrë shabllon dokumentin, por e kam përpunuar duke e ditur që ishin edhe pjesë e dosjes. ‘Plumbi i Artë’ ka shkuar në gjykim. Ato materiale u janë shpërndarë të pandehurve.’- tha Qyno.
Qyno shtoi se ka publikuar materiale, por të përpunuara. Sipas tij prokuroria e cilësonte materialin si sensitiv, i cili ishte ende në hetim. Qyno tha se u mbaj i mbyllur në një dhomë me derën mbyllur si të ishte ai krimineli.
Ata donin burimin për 7-8 orë. E cilësonin si një material sensitiv që nuk kishte zbritur në gjykatë. Ishte një material bisedat e njërit të të penduarve të drejtësisë tek rasti i Plumbit të Artë. Në kushtet kur kanë krahasuar informacionin që unë kisha kanë menduar se ky informacion ishte tepër sekret dhe nga ana tjetër vepruan në atë lloj forme që vepruan. Të më çojnë deri në atë pikë, sa të më shkojnë në shtëpi, të më kontrollojnë fizikisht, nuk mu duk normale. Kur ma bëjnë mua imagjino se çfarë mund tu bëjnë të tjerë. Ky informacion që nxora unë! U thirra për një njohje të thjeshtë dhe përfundova tek procedimi për shkak të nxjerrjes së sekretit hetimor. Ndenja 7-8 orë me derën mbyllur. A thua se isha unë krimineli që kisha bërë këtë gjëmën. Ata thonin se nuk është çuar në gjykatë pasi është procedim tjetër. Nuk ke pse ta hapësh këtë histori tani sepse ne do ta hapim në një moment tjetër.’- tha Qyno.
Sipas gazetarit, atij i është kërkuar që t’i kontrollohet telefoni dhe nga banesa i janë marrë sende personale. Sipas Qynos, prokuroria donte të dinte burimin e informacionit, e shtoi se është bindur tashmë se duhet të ndalonte publikimin e materialeve.
Janë marrë sende personale pa lidhje. Në shtëpinë e një gazetari mund të gjejnë. I kanë marrë të gjitha materialet në shtëpi. Asgjë nuk më kanë thënë. Mu vu në dijeni se kisha dhënë informacione shumë sensitive dhe janë në hetim. Unë u binda dhe vetë që duhet të ndaloja publikimin. Komunikimi im ka qenë shumë normal. Fakti që ata kërkuan telefonat unë këtu këmbëngula. Në tetor na është dhënë një paralajmërim edhe njerëzor dhe ligjor, por nuk na është kërkuar telefoni dhe nuk na janë kontrolluar xhepat dhe as telefonat. Nuk jemi mbajtur mbyllur me çelës. Ai donte burimin.’- u shpreh Qyno.