Zbardhet dëshmia e drejtorit të burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, i cili ndodhet pas hekurave nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pas ngjarjes së rëndë ku Sokol Mjacaj qëlloi për vdekje me armë një të dënuar dhe plagosi një tjetër.
Në dëshminë në prokurori të Kamber Hoxhës, theksoi se për 28 vite ishte i punësuar në sistemin e burgjeve. Ai tregoi se çfarë ndodhi ditën e premte dhe negociatat me të burgosurin përjetë për t’u vetëdorëzuar.
“Kam në organikë si shef policie që nga data 14 dhjetor 2023 shtetasin Qani Muça, i cili mbante detyrën e shefit të 41 bis në Peqin dhe godinën e paraburgimit.
Me këtë detyrë që nga data 22 nëntor, në detyrën e shefit të policisë, deri në datë 14 dhjetor ka qenë shtetasi Nikolin Gjonpali.
Në datë 15 dhjetor, rreth orës 13:52 kam qenë në ambiente te zyrës ku kam dëgjuar në radio-dhënëse dhe marrëse se diçka po ndodhte në godinën B, ambientet e ajrosjes. Kam folur në radio se çfarë problemi ka dhe më raportuan se ka ngjarje dhe se duhet ambulanca menjëherë.
Në moment kam dalë nga zyra dhe jam nisur për në regjim të brendshëm. Aty kam parë se ishin dy të plagosur me armë zjarri dhe ishin me gjak. Hipën të dy të plagosurit në ambulancë dhe i nisëm për në spital për ndihmë mjekësore.
Pas kësaj u futa në ambientet e brendshme, mes dy godinave të akomodimit të të dënuarave, dhe kam shkuar te vendi ku ishte i vendosur i burgosuri Sokol Mjacaj.
Objekti ishte ku bëheshin takimet e familjarëve dhe kishte mbyllur derën nga brenda dhe po qëndronte aty. Mësova nga punonjësit e policisë se i dënuari ishte te dhoma e takimeve dhe kishte armë me vete.
Afrohem te dera dhe i burgosuri tha; dua prokurorin se do ta dorëzoj armën. Në këtë momente i thash një polici që të njoftonte oficerin e informacionit që të më sjellë telefonin brenda.
Në orën 14:01 telefonova drejtorin e përgjithshme të cilit i raportova se kemi një ngjarje, plagosje me armë të të dy bashkëvajtjeve dhe se se autori ka armë. Pastaj kam qëndruar pas dere dhe sokoli pas dere.
E vetmja kërkesë që kishte, ishte që kërkonte prokurorin. Thoshte; “Nëse vjen prokuroria do të dorëzoj armën dhe do t’i tregoj të gjitha”.
Pas shumë negociatash shkuam dhe i dhamë një palë pranga me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç i lamë ne.”, tha në dëshminë e tij drejtori i burgut të Peqinit.