Administrata Tatimore, për një periudhë disa mujore, ka kryer një investigim të hollësishëm me strukturat e saj të specializuara, duke faktuar evazionin fiskal dhe aktivitetin e paligjshëm që disa subjekte kryenin duke faturuar fiktivisht shërbimin e konsulencës, me qëllim shmangjen e detyrimeve tatimore për arsye përfitimi.
Rreth 2 milionë euro dëm financiar në buxhetin e shtetit nëpërmjet faturave fiktive tё lёshuara nga subjekte si Person Fizik apo SH.P.K, qё kryenin aktivitet në fushën e shërbimeve të konsulencave, duke shmangur detyrimet tatimore.
Administrata Tatimore nëpërmjet metodave të specializuara dhe analizave të thelluara ka arritur të verifikojë fiktivitetin e faturimeve të këtyre subjekteve nëpërmjet kryqëzimit të informacioneve në kohë reale si dhe transaksioneve bankare.
Këto subjekte rrisnin në mënyrë fiktive shpenzimet duke bërë të mundur barazimin e tyre me të ardhurat në mënyrë që vlera e detyrimit të Tatim Fitimit për tu paguar t’u dilte më e ulët, duke shmangur kështu detyrimin real që lind nga Tatim Fitimi.
Nga hetimi i thelluar i Administratës Tatimore rezultoi që nuk kishte transaksione bankare në lidhje me shërbimet e blera ose transaksionet bankare janë kryer nga individë të lidhur ose jo me këto subjekte duke provuar kështu fiktivitetin e faturave dhe skemën e mashtrimit.
Tatimet verifikuan gjithashtu se këto subjekte e deklaronin selinë e tyre në adresa fiktive duke shmangur kështu detyrimin për Tatimin në Burim dhe Tatim Fitimit për nënqiradhënie.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranë dhe me Drejtorinë për Kriminin Ekonomik në Policinë e Shtetit kanë arritur të provojnë se nëpërmjet faturimeve fiktive këto subjekte kanë konsumuar elementë të veprës penale të parashikuara nga nenet 180, 190 dhe 143 të Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë.
Nga ky aktivitet kriminal, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masë sigurimi arrest në burg ndaj 12 shtetasve, 3 nga të cilët shqiptarë dhe 9 shtetas Italian.
Gjithashtu, dyshohet se kjo skemë kriminale mashtrimi shtrihet edhe në shtetin fqinj, Itali, aty ku edhe operojnë përfituesit kryesorë, të cilët janë subjekte që përfitojnë të gjithë vlerën e shërbimeve të dyshuara fiktive të konsulencës, e cila përllogaritet në vlerën e mbi 6 milion Eurove.