Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e deputetëve për pezullimin e arrestimit të Berishës


Gjykata Kushtetuese ka cilësuar si legjitime masën e marrë ndaj Sali Berishës nga GJKKO, për ‘detyrim paraqitje’ dhe ndalim i daljes jashtë vendit, marrë nga GJKKO më 21 tetor 2023. 

Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Rithemelimit të cilët kërkuan pezullimin e masës së arrestit ndaj Sali Berishës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese nuk legjitimohet kërkesa e deputetëve të opozitës, pasi nuk janë subjekt në konflikt dhe duhet të jetë vetë Berisha ai i cili duhet t’i drejtohet gjykatës.

‘Për rrjedhojë, kërkuesi, grupi i deputetëve nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë. Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që ai është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit.‘- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Deputetët e Rithemelimit, pretenduan se masa e marrë ndaj Sali Berishën ‘detyrim paraqitje’, më 20 tetor, për aferën e privatizimit të klubit sportiv Partizani, është antikushtetuese dhe është marrë pa u kërkuar paraprakisht autorizimin e Kuvendit.

Prokuroria e Posaçme i kërkoi më (12 dhjetor) Kuvendit autorizimin për arrestimin e Sali Berishës në kushtet kur ish-kryeministri në hetim për aferën e privatizimit të klubit “Partizani”, nuk zbatoi masën e gjykatës, atë të detyrimit për tu paraqitur.

SPAK kërkoi ta zëvendësojë masën dhe ta ashpërsojë në arrest shtëpie ose arrest me burg, vendim që më tej do të presë vulën e gjykatës. Ndërsa kërkesa u shqyrtua edhe në Këshillin e Mandateve.