Vendosni fjalën kyçe....

Ish-pronari i Chelseat Abramovich e humb sfidën ligjore kundër sanksioneve të BE-së


Ish-pronari i klubit të futbollit anglez Chelsea, miliarderi rus Roman Abramovich, e humbi të mërkurën sfidën ligjore kundër sanksioneve që Bashkimi Evropian (BE) i kishte vendosur ndaj tij pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i urdhëroi trupat ruse ta nisnin pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, BE-ja i sanksionoi zyrtarët rusë, përfshirë dhe një numër biznesmenësh rusë, ndër ta edhe Abramovichin.

Abramovich kishte bërë ankesë ligjore kundër sanksioneve ndaj tij.

Por, Gjykata e BE-së në Bruksel e hodhi poshtë ankesën dhe pretendimet e tij për kompensim, duke theksuar rolin e tij në kompaninë ruse të çelikut, Evraz, dhe faktin se çeliku ishte burim i madh i të ardhurave për qeverinë ruse.

“Gjykata e Përgjithshme e hedh poshtë ankesën e ngritur nga Abramovich, duke e mbajtur në këtë mënyrë në fuqi masën kufizuese ndaj tij”, thuhet në vendim të gjykatës.

Kur e sanksionoi Abramovichin, BE-ja pati thënë se ai “kishte qasje të privilegjuar” ndaj Putinit dhe se “mbante lidhje shumë të mira me të”.

Abramovich, i cili mban nënshtetësi edhe të Izraelit, u bë njëri prej biznesmenëve më të fuqishëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991. Forbes vlerëson se ai ka pasuri në vlerë 9.2 miliardë dollarë.

Abramovich ka thënë në një komunikatë për media se ndihet i zhgënjyer me vendimin e gjykatës.

Ai është ndëshkuar edhe në Britani të Madhe dhe asetet e tij janë ngrirë si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Abramovichi i shiti Chelsean pasi u sanksionua nga Qeveria britanike. Klubin e Premierligës e bleu Todd Boehly për një shumë rekorde prej 2.5 miliardë funtesh.

Shitja e tij shënoi fundin e një epoke 19-vjeçare të Abramovichit të mbushur me trofe në klubin nga Londra, shkruan REL.