Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, mori pjesë në ceremoninë e akordimit të kredive të buta për strehim për kategoritë e punonjësve të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe personelit mjekësor, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar.
Mete e konsideroi akordimin e kredive me zero interes për punonjësit e policisë së shtetit, forcave të armatosura dhe personelit mjekësor si shprehje të mbështetjes dhe angazhimit të qeverisë për një trajtim dinjitoz dhe cilësor të punës dhe shërbimit të tyre, si dhe shprehje e detyrimit që momentin e mirë ekonomik që po kalon vendi të përkthehet në më tepër solidaritet dhe rishpërndarje edhe më të drejtë në funksion të mirëqenies së qytetarëve.
“Jam i bindur që ky lajm sot ju gëzon jo vetëm ju, por patjetër edhe familjarët tuaj në këtë prag festash, pasi sigurimi i kushteve të përshtatshme të strehimit është thelbësor dhe me rëndësi të veçantë për standardet e jetesës.
Në këtë frymë, inicivitën e këtij viti, për të mbështetur me kredi me zero interes 300 punonjës të rendit, mbrojtjes dhe shëndetësisë, do ta shtrijmë edhe në vitin tjetër, me synim për të përmbushur sa të e jetë e mundur nevojat e punonjësve që jetojnë larg vendeve të punës, apo që kanë nevojë për më shumë hapësira për strehim”, tha Ministri, ndërsa shtoi se synim është gjithashtu që vitin tjetër të konsiderohet edhe zgjerimi i përfituesve dhe kategorive nga këto lehtësi.
Nga ana tjetër, Ministri informoi se është alokuar edhe një fond të posaçëm për rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, në mënyrë që të avancohet me një rritje domethënëse të pagave për sektorin publik, përfshirë edhe sektorin e rendit, të mbrojtjes dhe të shëndetësisë, me synimin për të ofruar punësim cilësor, një pagë konkurruese edhe në rajon dhe me ambicien për të mos ndaluar këtu, por për të vazhduar më tej drejt një mbështetje më të madhe të shërbyesve publikë.
“Me të njëjtën shprehje solidariteti, në aktin normativ që sapo miratuam, ju kemi dhënë mbështetje shtresave në nevojë, si edhe pensionistëve, të cilët morën bonusin e dytë brenda këtij viti, me synimin që gjatë vitit të ardhshëm të angazhohemi në një diskutim të thelluar për reformimin si të skemës së sigurimeve shoqërore, pra të pensioneve, ashtu edhe të shtyllave të tjera të mbrojtjes sociale për shtresat në nevojë”, u shpreh ministri.