Ecuria e mirë e sektorit të turizmit ka vijuar edhe në tetor dhe përpos lëvizjes së shtetasve këtë e konfirmojnë së fundmi edhe qëndrimet e raportuara në hotele.
Instituti i Statistikave publikoi së fundmi ecurinë e strukturave akomoduese ku për tetorin 2023 vihet re një rritje dyshifrore si për qëndrimet e rezidentëve edhe për jorezidentët.
“Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 41,4%, në krahasim me Tetor 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezident është rritur me 44,0%; numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 39,3%”, thuhet në publikim.
I njëjti sjell në vëmendje se numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 68,8%, në krahasim me Tetor 2022 ku rezulton specifikisht se numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 78,9% kurse numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 62,1%.
Vizitorë
INSTAT raportoi se gjatë muajit Tetor 2023, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 41,4%, krahasuar me Tetor 2022.
“Numri i vizitorëve jo- rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 79,7%. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 92,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 37,3%”, thuhet në publikim.
Pjesa më e madhe e vizitorëve është vendosur në zonat jo bregdetare teksa preferenca për kategorinë e preferuar është ajo për hotele dhe akomodime të ngjashme.
“Në muajin Tetor 2023, numri më i lartë i vizitorëve rezulton: · sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut“ (38,5%); · sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (52,8%); · sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (95,0%).
Netë qëndrime
“Gjatë muajit Tetor 2023, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 68,8 %, në krahasim me muajin Tetor 2022. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2,1 herë. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 64,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 60,9%”, raporton INSTAT.
Referuar dokumentit në muajin Tetor 2023, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar: · sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (41,7%); · sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (52,3%); · sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (94,8%).
Norma neto e shfrytëzimit
“Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 16,4%, kundrejt 12,5% që ishte në muajin Tetor 2022. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 18,4%, kundrejt 12,4% që ishte në muajin Tetor 2022” vlerëson INSTAT.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor