Sali Berisha mblodhi kryesinë e partisë pasi parlamenti votoi sot miratimin e kërkesës të SPAK-ut për arrestimin/heqjen e lirisë së tij për dosjen “Partizani”.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se imuniteti iu hoq, pasi kjo ishte e vetmja mënyrë që siç tha ai regjimi të mos përballet me opozitën.
Berisha deklaroi se Rama e ka të qartë që nuk mund të bëjë dot pazare me opozitën e vërtetë.
“Kjo mbledhje kryesie mblidhet në momentet më të jashtëzakonshme të historisë së forcës tonë politike. Momente kur regjimi i bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve, pasi e demaskuam dhe e demaskojmë çdo ditë për lidhjen me krimin.
Mendoj se zgjidhja e këtij demaskimi është arrestimi i kryetarit të PD me të cilin Edi Rama dhe kushdo tjetër e ka të qartë se nuk mund të bëjë pazare dhe me të cilin ai nuk përballon dot betejë.
E vërteta është se ne si opozitë, jo për dëshirën tonë, po për ndërhyrjet dhe përpjekjet për të lënë Shqipërinë pa opozitë kaluam një periudhë të vështirë, por përsëri megjithë vështirësitë e mëdha, megjithë forcë e korrupsionit, korrupsion i cili u përdor për shkatërrimin e opozitës shqiptare kjo nuk ndodhi
Opozita erdhi duke u fuqizuar gjithë e më shumë. Opozita erdhi duke u bërë zëdhënëse e vërtetë e interesave të shqiptarëve, zëdhënëse e vlerave që duhet të ketë një shoqëri e lirë.
Reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozita e vërtetë. Edi Rama është një hajdut dhe diktator”, tha Berisha.