Vendosni fjalën kyçe....

Fluks emigrantësh për festat e fundvitit, rradhë në dogana


Gjysma e dytë e dhjetorit shënon gjithmonë fluks udhëtarësh, emigrantë të cilët vijnë në Shqipëri për të festuar Krishlindjet dhe Vitin e Ri me familjet e tyre.
Portet e vendit, aeroportet, si dhe pikat doganore numërojnë një numër të madh hyrje-daljesh, saqë shpesh bëhet i pamenaxhueshëm nga punonjësit e institucioneve.

Ndaj në Durrës, duke filluar që nga kjo e enjte (sot), kanë nisur lundrimet e dyfishta.
Kapiteni Taulant Allkja,ka treguar se vetëm të premten mbërritën 2 mijë pasagjerë, ndërsa mijëra të tjerë, emigrantë dhe turistë pritet të vijnë përgjatë fundjavës. Numri i udhëtarëve është rritur lehtë edhe në jug të vendit, në Vlorë.
Edhe aty autoritetet portuale kanë marrë masa për të përballuar fluksin e ditëve të festave.Të enjten në Vlorë mbërritën rreth 300 pasagjerë dhe 60 mjete, ndërsa në linjën Vlore-Brindisi do të operohet me dy tragete.

Sezoni i festave të fundit ka shkaktuar fluks në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë.

Sipas informacioneve nga policia kufitare bëhet e ditur se fluksi është në palën maqedonase në hyrje të Shqipërisë.

Kryesisht janë qytetarë nga juglindja por edhe nga zona e Përrenjasit, Librazhdit që shkojnë bëjnë pazare në Maqedoninë e Veriut dhe kthehen brenda ditës.

Pritja zgjat afërsisht 20 minuta ndërsa bëhet e ditur se pala maqedonase punon me staf të reduktuar.

Po ashtu edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës pritet fluks i madh i shtetasve shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj, Greqi, të cilët do të kthehen për të kaluar festat e fundvitit me familjarët e tyre.