Vendosni fjalën kyçe....

Komisionet hetimore, reagon deputetja e PL-së: Sot kapitulloi Parlamentarizmi


Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar për ndryshimet ligjore për komisionet hetimore të miratuar nga Partia Socialiste.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, Xhixho shkruan se sot kapitulloi Parlamentarizmi, ndrësashton se ligji i miratuar nga mazhoranca është tërësisht në shkelje të Kushtetutës.

Postimi i plotë:

Sot kapitulloi Parlamentarizmi.

Sot maxhoranca miratoi me forcën e kartonave mbylljen përfundimisht të të drejtës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Një ligj tërësisht në shkelje të Kushtetutës, që i heq opozitës të drejtën e e ushtrimit të kontrollit parlamentar.

Në fakt, ky ligj është bërë funksional që para se të miratohej, pasi 8 kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore janë rrëzuar me arrogancën e pushtetit.

E njëjta maxhorancë që ngriti sistemin e patronazhistëve e që nuk mbrojti dot të dhënat e shqiptarëve, do të mbyllë dyert e komisioneve parlamentare me argumentin se duhen mbrojtur të dhënat e dëshmitarëve.

Arsyeja pse kjo maxhoracë nuk i do komisionet hetimore është se do t’i shmanget llogaridhënies e transparencës me qytetarët, sepse vjedhjet, abuzimi dhe korrupsioni janë praktika e zakonshme e saj.

Sot kapitulloi kontrolli parlamentar, transparenca, llogaridhënia si detyrim ndaj qytetarëve.