Vendosni fjalën kyçe....

Rama largoi nga drejtimi i bashkisë Jorgo Goron, gazeta greke: Hap depërshkallëzimi pas presionit të Mitsotakisit


Media greke Protothema e ka quajtur “zhvillim shumë të rëndësishëm për perspektivën e zgjidhjes së çështjes Beleri” qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama që kryebashkiaku Jorgo Goro të mos qendrojë më në detyrë pasi humbi zgjedhjet.

Protothema nënvizon se “gjëja më interesante është se kryeministri shqiptar ndërhyn për këtë çështje përmes “X”, në vazhdën e diskutimit të fundit që pati me Kyriakos Mitsotakis në margjinat e Këshillit Europian në Bruksel pak ditë më parë, ku Greqia shprehu kundërshtimet e saj. për vazhdimin e kursit europian të Shqipërisë, ndërkohë që çështja Beleri përshkallëzohet.

Më tej gazeta greke poston edhe qëndrimin e plotë të kryeministrit Rama në X.

“Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:

Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.’- shkruan Rama.