Rritja e interesit për Shqipërinë turistike duket se ka orientuar sipërmarrjet drejt investimeve të lidhura me sektorin. Të dhënat e raportit të Institutit të Statistikave Turizmi në Shifra 2022 raportojnë se vetëm numri i strukturave akomoduese u rritur me 8.4 për qind në raport me vitin 2021. Ndërkohë që numri i shtretërve u rrit me më shumë se 11 për qind, një tregues se në treg kanë hyrë struktura me kapacitete më të mëdha akomoduese.
Sipas INSTAT në vitin 2022, në gjithë vendin operuan 1.580 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) duke vënë në dispozicion rreth 48 mijë dhoma dhe rreth 109 mijë shtretër.
“ Gjatë vitit 2022, industria e turizmit ka ofruar mesatarisht: rreth 39 shtretër në dispozicion të 1.000 banorëve. 65% e shtretërve janë shfrytëzuar (netë qëndrime) nga jo-rezidentët; kapacitetet e vënë në dispozicion gjatë muajit Gusht janë rreth 35 mijë dhoma dhe 85 mijë shtretër” thuhet në publikim.
I njëjti analizon edhe ecurinë e lejeve të dhëna për ndërtimin e strukturave akomoduese ku gjatë vitit 2022, janë miratuar gjithsej 51 leje ndërtimi për ndërtim hotelesh, nga 33 leje të miratuara në vitin 2021.
“Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2022, është rreth 199 mijë m2 , duke shënuar një rritje prej 37,8% krahasuar me vitin 2021. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit e miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2022, është rreth 7,3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 40,2%, krahasuar me vitin 2021. Gjatë vitit 2022, qarku Korçë shënoi numrin më të lartë në lejet e miratuara për “Hotele dhe të ngjashme” me rreth 29,4% të lejeve gjithsej në nivel vendi” vlerëson INSTAT.
Gjatë vitit 2022 në vendin tonë erdhën rreth 7,5 milionë shtetas të huaj ndërkohë që viti 2023 ende pa u mbyllur po shënon një tjetër rekord historik për numrin e vizitorëve duke arritur objektivin e 10 milionëve.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor