Shkëlqim Zuriqi, drejtor i Drejtorisë së Analizës dhe Sigurisë së Personelit pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) është konfirmuar sot (22 dhjetor) në detyrë pas seancës publike të ditës së sotme në Trupën e Vlerësimit në kuadër të Vettingut në polici.
Që nga data 18 dhjetor, kanë nisur seancat publike me subjektet e vlerësimit kalimtar që pas ndryshimeve të fundit ligjore, kryhen nga Trupa e Vlerësimit që është ngritur pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Dy ditë më parë u konfirmua në detyrë edhe Ndue Doçi, drejtor i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, i cili kaloi vettingun.
Në seancën publike trupi gjykues tha se hetimi i tij u bë në tri kritere, pastërtinë e figurës, profesionalizëm dhe kriterin e pasurisë, ku vlerësimi ka qenë pozitiv.