Vendosni fjalën kyçe....

Amnistia, Rrumbullaku letër ministrit të Drejtësisë: T’u merren mostrat e ADN-së, gati të sigurojmë grupe ekspertësh


Të gjithë të dënuarve që do të përfitojnë nga amnistia do t’iu merret një kampion biologjik, me qëllim ndërtimin e një profili gjenetik ADN-je. Kështu thuhet në një shkresë që mban firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Me shkresën me numër 10359/ 2 protokoll datë 24 nëntor 2023, drejtuar Ministrisë së Drejtesisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Rrumbullaku kërkon bashkëpunimin e këtyre institucioneve me qëllim marrjen e kampionëve për cdo të dënuar apo të paraburgosur që përfiton nga amnistia, përpara se këta të fundit të lenë qelitë.

“Duke qenë se nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, është duke u planifikuar një skemë amnistie, është i nevojshëm bashkëpunimi për marrjen e mostrave të AND-së të të burgosurve që do të përfitojnë nga kjo amnisti në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit”, thuhet ne kerkesen e kreut të Policisë së Shtetit. Drejtuesi madhor i policise shpreh gatishmërinë për të siguruar grupe ekspertësh dhe tamponë për të bërë të mundur realizimin e këtij procesi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet t’ua përcjellë këtë shkresë institucioneve të vuatjes së dënimit në të gjithë vendin, me qëllim që procesi të përfundojë përpara se të nisë zbatimi i amnistisë nga e cila parashikohet te perfitojne 600 te denuar apo paraburgosur.

Profili i AND-së është provë shkencore e pakundërshtueshme fajësie për persona që kryejnë një vepër penale dhe mund të lënë një gjurmë biologjike në vendin e ngjarjes. Posedimi i një database të AND-së në kartotekën e policisë së shtetit ndihmon këtë të fundit të krahasoje profilet gjenetike dhe mbi bazën e tyre identifikimin e autorëve të dyshuara të veprave të rënda penale.