Vendosni fjalën kyçe....

Kandidates së pavarur i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet ruse


Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë ka refuzuar aplikimin e një kandidateje, që bën thirrje për paqe, për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Komisioni tha se ka pasur “gabime në dokumentet” e dorëzuara nga Yekaterina Duntsova, ish-gazetare dhe këshilltare komunale, e cila ka bërë fushatë “për paqe dhe procese demokratike”, raportuan mediat ruese.

Shefja e Komisionit, Ella Pamfilova, tha se anëtarët e komisionit, në mënyrë unanime refuzuan aplikimin e Duntsovas për garim në zgjedhje, të cilat pritet që presidenti Vladimir Putin t’i fitojë me lehtësi.

Komisioni tha se Duntsova nuk mund të kalojë në fazën e re për të mbledhur nënshkrimet e mijëra mbështetësve të saj.

Pamfilova i tha asaj: “Jeni grua e re, keni gjithçka para vetes”.

Duntsova, 40-vjeçe, kishte dorëzuar dokumentet për pjesëmarrje në zgjedhjet e marsit si kandidate e pavarur.

Pamfilova tha të shtunën se 29 persona deri më tani kanë aplikuar për të garuar në zgjedhjet presidenciale.

Moska për vite me radhë ua ka mohuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe në jetën politike figurave opozitare, shtypje që është intensifikuar pasi Kremlini urdhëroi dërgimin e trupave në Ukrainë në fillim të vitit 2022.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL.