Vendosni fjalën kyçe....

Megadonatori miliarder pezullon donacionet për “Harvard”-in


Miliarderi Len Blavatnik po i bashkohet listës së donatorëve të inatosur të Harvardit që po ndalojnë financimin e universitetit.

Fondacioni familjar i Blavatnik ka pezulluar donacionet për Harvard-in në vazhdën e dëshmisë së presidents së institucionit Claudine Gay para Kongresit, konfirmoi për CNN një person i njohur me këtë çështje.

Blavatnik, i cili është hebre dhe ka grumbulluar një pasuri që Forbes vlerëson se kap vlerën e 32 miliardë dollarëve, po ndalon donacionet për Harvard derisa universiteti të trajtojë antisemitizmin në kampus, tha burimi.

I diplomuari i Shkollës së Biznesit në Harvard ka një histori të dhuratave bujare për shkollën e Ivy League, si dhe në mbështetjen e kauzave hebraike. Fondacioni i familjes Blavatnik ka dhuruar të paktën 270 milionë dollarë për Harvard-in, tha burimi.

I lindur në Ukrainë dhe i rritur në Rusi, Blavatnik e bëri pasurinë e tij të hershme pas rënies së Bashkimit Sovjetik, një kohë kur kompanitë shtetërore të aluminit, naftës dhe të tjera iu nënshtruan privatizimit. Ai ka qenë shtetas amerikan për katër dekada dhe ka zgjeruar investimet dhe filantropinë e tij gjerësisht me kalimin e kohës.

Blavatnik nuk i ka bërë kërkesa specifike Harvard-it, por ai dëshiron që universiteti të sigurojë që studentët hebrenj të mbrohen njësoj si studentët e tjerë, tha burimi.

Ndërsa miliarderi i fondit mbrojtës Bill Ackman dhe të tjerët kanë shkëputur lidhjet me Harvard-in, Blavatnik po e lë të hapur derën për të rifilluar donacionet.

“Ai dëshiron që Harvard-i të ndryshojë për mirë. Ai nuk po përpiqet të largohet ose të braktisë vendin,” tha burimi.

Lajmi për vendimin e Blavatnik për të ndërprerë dhënien në Harvard u raportua fillimisht nga Bloomberg. Harvardi nuk e komentoi lajmin. Fondacioni i Blavatnik nuk pranoi të komentojë.