Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin se ka gisht në sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, mes raporteve se një tjetër anije tregtare është goditur.
Në një deklaratë të premten, ndërsa akuzoi Iranin se është përfshirë në sulme, Shtëpia e Bardha tha se Teherani ka ndihmuar grupin rebel me armë dhe inteligjencë taktike.
“Ne e dimë se Irani ishte i përfshirë në planifikimin e operacioneve kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson.
“Kjo është në përputhje me mbështetjen materiale afatgjatë të Iranit dhe inkurajimin e veprimeve destabilizuese të Houthi-t në rajon.”
“Kjo është një sfidë ndërkombëtare që kërkon veprim kolektiv,” tha Watson.
Shtëpia e Bardhë tha se analiza vizuale tregoi pothuajse karakteristika identike midis dronëve KAS-04 të Iranit dhe dronëve të përdorura nga Houthi si dhe karakteristika të qëndrueshme midis raketave iraniane dhe Houthi.
Houthi, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Jemenit, duke përfshirë kryeqytetin Sanaa, kanë nisur dhjetëra sulme me dronë dhe kanë lëshuar raketa ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq në atë që grupi e ka përshkruar si një mbështetjeje për palestinezët që po përballen me bombardimet izraelite në Gaza.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë theksuar që Houthi-t nuk kanë radarë dhe se ata mbështeten në teknologjinë e ofruar nga Irani. Irani ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në këto sulme dhe ka thënë se ky ishte një vendim është marrë vetë nga grupi rebel.