Vendosni fjalën kyçe....

Rrumbullaku kërkoi marrjen e mostrave të ADN-së për të burgosurit që përfitojnë nga amnistia, Drejtoria e Burgjeve në lëvizje


Pas kërkesës për bashkëpunim që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i bëri Ministrisë së Drejtësisë, për marrjen e kampionëve biologjikë të ADN-së për secilin të dënuar për përfiton nga Amnistia, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vihet në lëvizje me qëllim përfundimin e procesit.

Përmes një shkrese që News24 disponon, kreu i dikasterit të Burgjeve, Admir Abrija iu kërkon drejtuesve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale të marrin të gjitha masat përkatëse.

“Mbështetur në shkesën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit me lëndë “kërkesë për bashkëpunim” autorizohen të gjitha institucionet IEVP të marrin masa për lejimin e personave autorizuar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit së bashku me drejtoritë vendore për marrjen e mostrave të ADN-së, për të burgosurit që do të përfitojnë nga amnistia”, thuhet ne shkresën që mban firmën e Admir Abrisë.

Nga ligji për amnistinë pritet të përfitojnë 600 të dënuar dhe paraburgosur për krime të ndryshme, të cilët përpara se të lënë qelitë do t’i nënshtrohen kësaj procedure. Profilet gjenetike ruhen na kartotekën e policisë dhe krahasohen me profilet e ADN-ve  që zbulohen në vendngjarje te ndryshme kriminale.