Vendosni fjalën kyçe....

Tregu i sigurimeve realizoi një fitim rekord për 9-mujorin e këtij viti


Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se fitimi i tregut të sigurimeve në vend arriti vlerën e 2.6 miliardë lekëve ose rreth 25 milionë eurove.

Fitimi neto i tregut është rritur me 54% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në veçanti, tremujori i tretë i vitit ka sjellë një rritje të ndjeshme të fitimeve me 1.4 miliardë lekë, nga afërsisht 1.2 miliardë lekë që kishte qenë fitimi për të gjithë 6-mujorin e parë të vitit.

Megjithëse pjesa më e madhe e fitimeve vijnë nga tregu i sigurimit të Jo-Jetës, ritmi më i lartë i rritjes së tyre në dy vitet e fundit po regjistrohet në tregun e sigurimit të Jetës. Kompanitë raportuan fitime neto në vlerën e 288 milionë lekëve, shifër kjo 94% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fitimit në tregun e sigurimit të Jetës ka ardhur paralelisht nga rritja e primit të fituar neto, por edhe nga ulja e shpenzimeve neto për dëme të paguara. Primet e fituara neto u rritën me 28%, kryesisht falë rritjes së volumit të tregut dhe primeve të shkruara bruto.

Ndërkohë, shpenzimet neto për dëme të paguara janë në rënie të ndjeshme me 17% krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, edhe këtë vit kompanitë po vazhdojnë të rrisin shpenzimet operative, por me ritmet disi më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Shpenzimet operative neto u rritën me 18% dhe vazhdojnë të jenë në përmasa shumë të mëdha krahasuar me vlerën e dëmeve të paguara. Në 9 muaj, shpenzimet operative arritën në pothuajse 800 milionë lekë, 5.3 herë më shumë në raport me shpenzimet neto për dëme.

Rezultat financiar në përmirësim të ndjeshëm për 9-mujorin e vitit të kaluar shënoi edhe segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të Jo-Jetës. Sipas AMF-së, fitimi neto i kompanive të këtij tregu u rrit në 2.31 miliardë lekë, 50% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një ndikim shumë të rëndësishëm në rritjen e fitimeve këtë vit po e jep përmirësimi i rezultatit nga investimet. Për 9-mujorin, rezultati neto nga investimet arriti në 1.13 miliardë lekë, në rritje me 300% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, rezultati teknik (rezultati i lidhur me aktivitetin sigurues) është në rritje, por në përmasa më të vogla, me 17.7% krahasuat me një vit më parë.

Primet e fituara neto, që përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të siguruesve, janë rritur me 9% krahasuar me 9-mujorin 2022. Nga ana tjetër, edhe dëmet neto të paguara janë rritur me 7.8% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, edhe shpenzimet e veprimtarisë janë rritur me 7% krahasuar 9-mujorin e vitit të kaluar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor