Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, banorët e kateve sipër përpiqen të dalin nga dritaret. Reagon ministri Balla


Në qendrën tregtare në Lushnje, ku ka rënë zjarr gjatë mesditës së sotme, ka edhe mjedise banimi në katet e sipërme.

Këtë gjë e bën me dije vetë ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili ka theksuar se policia ndodhet në vendngjarje për të vënë nën kontroll situatën e rëndë.

“Një zjarr i madh në Qendrën Tregëtare Metropol në Lushnjë ka krijuar një situatë tepër të vështirë rreziku, ndërsa ndërtesa ka dhe mjedise banimi në katet e sipërme. Forcat zjarrfikëse dhe policia po luftojnë për të vendosur nën kontroll situatën e rëndë”- shkruan Balla.

Nga pamjet e publikuara disa nga qytetarët janë përpjekur të dalin nga dritaret dhe nga ballkonët, ndërsa për evakuimin e tyre kanë asistuar edhe forcat zjarrfikëse.

Forcat Zjarrfikëse po punojnë për të shuar flakët dhe për të bërë evakuimin e plotë.

Si pasojë e tymit, disa qytetarët janë asfiksuar dhe janë dërguar në spital. Dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike.

Ambulanca dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar në vendngjarje dhe po marrin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare. Janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbështetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.

Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.’- njofton policia.