Ndërsa Gjykata e Posaçme shtyu sot seancën për masën e re të sigurisë, ish-kryeministri Sali Berisha tha se ai i njeh gjykata dhe për këtë arsye kishte dërguar avokatët mbrojtës.
Pjesë nga deklarata:
Në çdo seancë, në të cilën dosja kallp e organizatës kriminale në Skap ndaj Sali Berishës është shqyrtuar, unë kam dërguar përfaqësuesit e mi.
Skap nuk ka guxuar tre vite, megjithëse ka pyetur dhjetëra e dhjetëra vetë, pronarë dhe zyrtarë që janë marrë me dosjen, nuk kanë guxuar një herë të vetme të pyesin Sali Berishën, ndonëse Kushtetuta e lejon plotësisht.
Nuk kanë guxuar të pyesin njëherë të vetme Jamarbër Malltezin dhe nuk kanë gjetur një shkelje të vetme ligjore në asnjërin nga punonjësit dhe dokumentet që kanë firmosur ata. Asnjë!
Janë nga viti 1995 deri në vitin 2009 janë me dhjetëra punonjës dhe shkresa, që të gjitha në përputhje me ligjin përveç asaj të Edi Ramës. Pra, gjithçka është një farsë e bazuar në fshehjen e qindra dokumenteve, e bazuar në manipulimin e qindra dokumenteve. Që në fillim kemi të bëjmë me një akt të paligjshëm, të bazuar në kallëzim të rremë.
Taulant Balla, në kallëzimin e tij të rremë, shkruan se trualli i tokës së klubit Partizani është shpronësuar nga autoritetet italiane. Në një kohë kur dokumentet e periudhës së autoriteteve italiane faktojnë në mënyrë absolute se kjo është një gënjeshtër, se trualli i tokës nuk është shpronësuar kurrë, por është rekuizuar. Rekuizita është një kategori tjetër me shpronësimin dhe për këtë ka dekrete me firmën e Jakomonit.
Unë mora këtë shembull, por mund t’u jap me dhjetëra shembuj ku ata kanë fshehur dokumente. Pra, Skapi njëlloj si seksionet e Sigurimit të Shtetit, ka ngritur një piramidë mashtrimi, gjithçka antiligjore, gjithçka antikushtetuese.
Natyrisht nëse do ishim thirrur në Skap, sa herë do ishim thirrur, do shkonim. Në gjykatë, vendimet u dhanë pa marrë lejen e parlamentit. Nuk ka njeri që nuk e di se duhej marrë leja e parlamentit për ato masa shtrënguese.
Unë dërgova avoketërit për të thënë se unë nuk pranoj të jetoj në një shoqëri parashtetërore. Por natyrisht nuk pranova vendimin që ishte antiligjor, antikushtetues, marrje e hapur e pushtetit të parlamentit.
Pra, unë mbrojta Kushtetutën. Beteja është mes Kushtetutës dhe antikushtetutshmërinë. Pra, gjithçka është antikushtetuese. Gjykata Kushtetuese, nuk po ndalem më se e kam bërë komentin për të.
Përsëri, në këtë proces, unë i qëndroj asaj, nuk them se gjykata nuk ekziston, nuk them se prokuroria nuk ekziston dhe avoketërit e mi sot, jo vetëm që kanë paraqitur si kërkesë, por sot kanë dorëzuar dokumentin, vendimin me të cilin ish-kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si President i Republikës ka shkarkuar gjykatësen dhe i kërkuan asaj të japë dorëheqjen.
Nuk kam informacionin e saktë, por procesi i shty se do merrte vetë vendim gjykatësja, çka unë nuk besoj të tërhiqet nga vendimi i saj, apo duhet të marrë vendim një gjykatës tjetër, këtë do e bëjnë të qartë avoketërit.
Por fakti është se gjithçka zhvillohet sipas skenarit të Edi Ramës. Tani, do venë policë? Unë e ftoj të vënë një batalion, ta rrethojnë atë rrugicën aty ku jam unë dhe unë nuk kam asnjë problemi.