Pas vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës për miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, kreu i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, thotë se në 5 minuta dhe pa diskutim u miratuan 330 milionë euro.
Braimllari se këshilltarët e kësaj partie propozuan që 15 milionë euro të shkonin si mbështetje për fermerët, por bashkia zgjodhi vetëm 736 mijë euro mbështetje për bujqësinë.
Ai vijon se Partia e Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës propozoi iniciativa në shërbim të qytetarëve, të cilat kishin të bënin me përballimin e kostos së lartë të jetesës, por ato u refuzuan.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë, kalimi i njëanshëm i buxhetit të Bashkisë së Tiranës në Këshillin Bashkiak pa debat ku për 5 minuta u miratuan 330 milionë euro tregon qartë mungesën e transparencës dhe bunkerizimin e Bashkisë së Tiranës.
Qytetarët e Tiranës prisnin të diskutohej për hallet dhe problemet e tyre të përditshme. Për taksat dhe tarifat vendore, për menaxhimin e punëve të qytetit por kryetari i Bashkisë së Tiranës me fuqinë e kartonit kaloi gjithçka pa diskutim.
Refuzimi i amendamenteve të propozuar nga Partia e Lirisë tregon qartë mungesën e vullnetit për të kthyer vëmendjen tek qytetarët, për t’ju larguar një mëndësie të vjetër politike, ku gjithçka që propozohet nga opozita refuzohet nga mazhoranca. Partia e Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës propozoi iniciativa në shërbim të qytetarëve. Propozimet tona konkrete kishin të bënin me përballimin e kostos së lartë të jetesës.
Reflektimi i rritjes së produkteve të shportës në Bashkinë Tiranë do të merrte zgjidhje nëse do të ishin pranuar amendamentet e Partisë së Lirisë.
Konkretisht, dua të ndalem tek amendamenti për bujqësinë. Në propozimin e Partisë së Lirisë i bërë nga ekspertë të bujqësisë propozohej një rritje e fondit për mbështetjen e fermerit të Tiranës.
Partia e Lirisë propozoi që 15 milionë euro nga 330 milionë euro buxhet të shkonte si mbështetje për fermerët e Tiranës. Ndërsa Erion Veliaj në buxhetin e miratuar me forcën e kartonit ka parashikuar vetëm 736 mijë euro mbështetje për bujqësinë, ku pjesën më të madhe e zë propaganda dhe jo mbështetja e drejtpërdrejtë për fermerin e Tiranës. Partia e Lirisë propozoi që 7 milionë euro të shkonin për financimin e skemave mbështetëse për bujqësinë dhe blegtorinë në Tiranë. Partia e Lirisë propozoi 3 milionë euro të shkonin si mbështetje për huamarrje për fermerët
Partia e Lirisë propozoi 2 milionë euro të shkonin për produktet made in Tirana.
Partia e Lirisë propozoi që 1 milionë euro të shkonin për mbështetjen e certifikimit organik dhe bio të produkteve bujqësorë.
Partia e Lirisë propozoi që taksa për fermerët e Tiranës që shesin në tregjet e gjelbërat të ishte 0%.
Partia e Lirisë propozoi 10 mijë euro mbështetje në bazë materiale për çdo fermer që kërkon të nisë një biznes të ri në fshat në blegtori, bujqësi, frutikulturë, akuakulturë, bletari dhe agroturizëm.
Nësë do të pranoheshin këto propozime do të sillnim një lehtësim të drejtëpërdrejtë për fermerët e Tiranës dhe rrjedhimisht dhe uljen e çmimeve të shportës.
Buxheti prej 330 milionë eurosh i miratuar nga Bashkia e Tiranës me arrogancën e kartonit, nuk i shërben fermerëve, grupeve të interesit dhe qytetarëve.