Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në Lushnjë shkakton dëme të mëdha te bizneset dhe godinë


Zjarri i rënë ditën e djeshme në qendrën “Metropol” në Lushnjë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Pas 10 orësh luftë me flakë zjarrfikësit e Lushnjës, Fierit, Tiranës, Elbasanit, Vlorës e Beratit, luftuan për të shuar flakët dhe për të bërë të mundur evakuimin e qytetarëve të ndihmuar edhe nga policia.

Raportohet se asnjë nga banorët e paraqitur në spital për ndihmë mjekësore nuk ndodhet në spital.

Banorët po ashtu nuk janë lejuar që të shkojnë në banesat e tyre për të parë se çfarë ka lënë pas zjarri, që shpërtheu në mënyrë të papritur në të gjithë godinën.

Xhezmi Metushi, shef zjarrfikëses Lushnjë, në një intervistë për mediat tha se 10 banorë rrezikuan jetën si dhe 3 punonjës të zjarrfikëses. Sipas Metushit ende nuk ka dalë shkaku i rënies së zjarrit, ndërsa shtoi se vatra mund të jetë nisur nga kati i katërt në një dyqan këpucësh.

“Shumë e vështirë. Është pallat shumë katësh. Kishim shumë vështirësi. Në së bashku u ngrit shteti në këmbë. Mbi 10 zjarrfikëse. Rreth 10 banorë rrezikuan jetën por i evokuam në kohë. 3 punonjës zjarrfikëse rrezikuan jetën. Akoma nuk ka dalë shkaku. Nuk bëjmë ne përllogaritje dëmesh. Mendojmë se mund të ketë ardhur nga kati i katërt. Ambientet e një dyqani këpucësh. Objekti ishte në flakë. Nuk ka asnjë vatër zjarri. Ua jap me garanci”- tha Metushi.

Pronarët e dyqaneve që ndodheshin qendrën tregtare ‘Metropol’ në Lushnjë e cilësojnë një katastrofë dëmin e shkaktuar. Ata u shprehën për mediat  se zjarri u ka shkaktuar shumë dëme, ndërsa mallin nuk e kanë të siguruar.

‘Ça të them si mund të përjetohet. Në momentin që ra zjarri po merrnin furnizimin. Zjarr zjarr.. pastaj filloi u mbush me tym tregu poshtë e dolëm më vrap. Fëmijët që kërkonin ndihmë… llahtar.’- tha një qytetar.

‘Sa kishim dalë! Nuk dimë asgjë për momentin. Shumë keq! Shyqyr që nuk pati humbje në njerëz. Një punë kolosale është bërë nga të gjithë njerëzit. Thonë që ka hyrë ujë por nuk kemi parë gjë.’- u shpreh një tjetër.

‘Mua më është djegur komplet dyqani 50 mln lekë dëm’- tha një sipërmarrës.

‘Jam në katin e parë. Jo nuk u përfshi nga zjarri kati parë. Flaka agravoi doli jashtë kontrollit. Të gjitha ndikuan. Nuk e kemi siguruar mallin. Është dëm katastrofik. Zjarrfikësit kur erdhën me atomjete që kishin nuk kishin lartësinë e përshtatshme. 500 familje ushqeheshin këtu.’-u shpreh një tjetër sipërmarrës.