Media ruse Pravda thotë se një gazetar egjiptian që pretendoi se zbuloi blerjen e vilës luksoze të vjehrrës së presidentit ukrainas Zelensky në El Gouna, është gjetur i vrarë.
Gazetari është identifikuar si Mohammed Al-Alawi, i cili pak muaj më parë bëri publike disa materiale ku pretendonte blerjen e një vile luksoze nga vjehrra e Zelenskyy në resortin egjiptian të El Gouna për 4.85 milionë dollarë në gusht të këtij viti.
Media ruse Pravda, citon median egjiptiane El Mostaqbal në lajmin e saj.
Gazetari i ndjerë u gjet i vdekur në Hurghada. Policia dhe familjarët e të ndjerit pohojnë se vdekja e gazetarit ka ardhur si pasojë e vrasjes dhe jo nga shkaqe natyrale.
Gazetari hulumtues i pavarur egjiptian Mohammed Al-Alawi u gjet i vrarë në Hurghada në rrethana misterioze, shkruan BNN.
Trupi i tij u gjet pranë rrugës El Hadaba. Sipas policisë, në trup janë konstatuar gërvishtje të shumta, fraktura dhe mavijosje, vdekja ka ndodhur për shkak të hemorragjisë cerebrale si pasojë e dëmtimit të rëndë traumatik të trurit.
Sipas informacioneve të zbuluara nga një burim pranë zyrës së policisë në Hurghada, Al-Alawi u rrah nga një grup njerëzish, thonë autoritetet.
Al-Alawi u bë i famshëm pasi publikoi një hetim për një vilë luksoze në El Gouna të blerë nga Olga Kiyashko, vjehrra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. El Gouna është një vendpushim i famshëm egjiptian që shpesh quhet “qyteti i milionerëve”.
Shumë ekspertë dhe një pjesë e konsiderueshme e audiencës besonin se pas blerjes së vilës egjiptiane qëndronin motive korrupsioni dhe akuzuan Zelensky-n për përvetësim të fondeve të akorduara nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane për mbrojtjen e Ukrainës në konfliktin e armatosur me Rusinë.
Ahmed Al-Alawi, vëllai i të ndjerit, i dha një intervistë Mohamed Fahti, në të cilën ai tha se gazetari i pavarur kishte marrë kërcënime të shumta pas publikimit të hetimit të tij, të cilin ai e quajti “puna e parë e madhe e vëllait të tij”.
Sipas deklaratës së Ahmedit, vëllai i tij Mohammed u bë i famshëm për shkak të hetimit, i cili mori një publicitet shumë të gjerë.
Ndërkohë sipas CPD.gov.ua, e cila thotë se është informuar pranë zyrës së presidentit ukrainas Zelensky, as ai vetë dhe as familja e tij nuk kanë asnjë pasuri të paluajtshme në Egjipt.
Ajo shkruan se në shkrimin e tij, gazetari tashmë i vrarë Mohammed Al-Alawi, u referohet “kopjeve” të kontratëspër blerjen e vilës.
“Botimi nigerian «PUNCH» botoi një shkrim që flet për një vilë në qytetin egjiptian El Gouna, të cilën vjehrra e Volodymyr Zelenskyy dyshohet se e bleu për 5 milionë dollarë. Në shkrimin e tij, autori i materialit i referohet “kopjeve” të kontratës për blerjen e vilës nga Olga Kiyashko, të cilat u dorëzuan nga gazetari investigativ egjiptian Mohammed Al-Alaëi. Familja Zelenskyy dhe prindërit e familjes nuk kanë asnjë pasuri të paluajtshme në Egjipt. Qendra u informua për këtë në Zyrën e Presidentit të Ukrainës. Pra, ky lajm, si dhe “kopjet” e publikuara të dokumenteve, është i rremë, i promovuar nga propaganda ruse me qëllim të diskreditimit të reputacionit të Volodymyr Zelenskyy në skenën botërore.” – shkruan CPD.gov.ua.