Vendosni fjalën kyçe....

Influencues apo idiotë të privuar?


Nga Irena Beqiraj

Mediat sociale kanë revolucionarizuar mënyrën se si ne lidhemi dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin. Por ato kanë shkaktuar gjithashtu edhe  një fenomen të ri – atë të influencuesve të mediave sociale.

Termi “influencues”ose “ndikues” u përdor për herë të parë në vitin 1662, shumë përpara se njerëzimi  të kishte ndonjë ide se në një të ardhme do të ekzistonin mediat sociale .  Në atë kohë, ndikuesit ishin udhëheqës fetarë, filozofë ose aristokratë të pasur.  I tillë ishte përshembull  Louis XIV Mbreti i Francës, i cili ndikoi në tendencat e modës në Evropë.

Sot për mua  ndoshta edhe  për ju, termi “ndikues” ose influencues përshkruan një grua apo një burrë që kërkon vëmendje . 

Ndërkohë studimet e fundit tregojnë se 86 për qind e njerëzve midis 13 dhe 38 vjeç do të dëshironin të bëheshin influencues në media sociale. Madje një aspekt tjetër edhe më dëshpërues  është se në  listën e aktiviteteve që fëmijët do të donin  të benin kur të rriteshin  ” influencues në media Sociale” dhe “Youtuber” dolën në vendin e dytë dhe të tretë .  Në fund të fundit, kush mund t’i fajësojë fëmijët – për ta influencuesat janë njerëz ” të bukur ” që kanë një jetë  ” të pasur” duke bërë thuajse asgjë.

“Influencuesit me deri në 1 milion ndjekës mund të marrin 10,000 dollarë për postim, në varësi të platformës, dhe ato me më shumë se 1 milion ndjekës,  mund të fitojnë  edhe 100,000 dollarë.  Disa mund të marrin edhe 250,000 dollarë për një postim!  Sidomos nëse përmbajtja është në YouTube ”  thotë Joe Gagliese, bashkëthemelues i Viral Nation.

Duke marrë parasysh që sot rreth 58% e popullsisë së botës janë  përdorues të mediave sociale,  influencuesit me anë të klikimeve , pëlqimeve, apo shkëmbimit të komenteve  “me  ndjekësit  e tyre të dashur” janë në kërkim të një pjese sado të vogël të tregut të  reklamave dixhitale , i cili sot vlen 13.8 miliard dollarë .

Për ca para më shume sot nje influencues   zgjedh të  shpërndajë  selfie në vende ekzotike. Për të mbajtur ose shtuar numrin e ndjeksave   videot e imazhet janë  të mbushura herë  me histori dramatike  e herë me iluzionin e  lumturisë edhe kamjes . Ai ose ajo është në kërkimin e dëshpëruar të videos apo imazhit viral të rradhës,  ku qan, qesh, dashuron, urren,  shan, mburr  , tradhëton , martohet ndahet  , pse jo  mbetet shtatezënë .  Madje nëse Influencuesja e kupton që me anë të fundshpinës mund të marrë më shumë klikime  nuk i privon ndjekësat nga  kënaqësia e ekspozimit të saj. Në të gjitha rastet qëllimi është i thjeshtë nje përtac funksional  kërkon të pasurohet ndërsa  inkurajon cektësinë, materializmin, dezinformimin dhe injorancën.

Por Informacioni i pasaktë , imazhet e videot e manipuluara , suksesi i rremë i cili ofrohet rëndom nga  influencuesit e mediave sociale ka rezultuar  toksik për shëndetin mendor të të rinjëve sidomos të  vajzave adoleshente . Prej  2003 deri në  2023, ka pasur një rritje eksponenciale  të ankthit, depresionit  vetëdëmtimit, dhe  çrregullimeve  të të ngrënit, tek njerëzit nën moshën 21 vjeç. Në terma absolutë, ankthi, depresioni, vetëdëmtimi  dhe çrregullimet e të ngrënit kane rezultuar më të larta tek vajzat sesa tek djemtë.

A ka nevojë kjo botë për  influencues ose ndikues të cilët  nuk janë në gjendje të prodhojnë  art ,  spektakël ,  ide apo të  shpërndajnë ndonjë informacion të vlefshëm ? Për njerez që  suksesi i tyre varet nga  miratimi apo  mëshira e ndjekësve  të tyre?  A mos do ishte më e saktë  ti quanim “idiotë të privuar”, të cilët cdo ditë  shpërndajnë valë  epidemike të vet- obsesionin edhe injorancës?

Kjo botë, vendi , vajzat e djemtë tanë  kanë nevojë për krijues që dhurojnë art, informacion , njohuri, e  shkencë. Ndodh që kapitali social dhe autoriteti që krijuesit  fitojnë  t’i bej  ata edhe influencues, një term ky që nje krijues  pothuajse nuk e përdor kurrë.