Vendosni fjalën kyçe....

Konjufca: Vuçiç qëndron pas sulmit në Banjskë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova ai ka thënë se të gjitha faktet tregojnë se Vuçiçi ka qenë në dijeni para se të ndodh sulmi i 24 shtatorit.

“Po ky vërtetë që ishte një vit i ndërlikuar dhe i vështirë. Mbi të gjitha për shkak të relacioneve që i kemi me Serbinë. Një Serbi e cila ka zgjedh që të jetë shumë armiqësore ndaj Republikës së Kosovës dhe e cila me çdo veprim institucional edhe me çdo veprim edhe jashtë-institucional na bindë që synimin kryesor e ka që ta mbajë Kosovën të destabilizuar dhe me një ambicie e cila kurrë nuk i shuhet asaj”, ka thënë kryeparlamentari.

Sipas tij, Serbia po bën përpjekje për ta aneksuar një pjesë të territorit të Kosovës dhe kjo u bë më e qartë para së gjithash me sulmin e 24 shtatorit.

Ka fakte të bollshme për përfshirje të institucioneve shtetërore të Serbisë në atë sulm i cili ishte edhe terrorist, por në të njëjtën kohë mund ta quajmë edhe akt të agresionit. Meqenëse nuk ishte thjeshtë një grup privat aty. Faktet edhe të inteligjencës edhe të institucioneve tjera të sigurisë dhe të gjitha institucioneve shtetërore tregojnë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk mund të mos e ketë ditur për këtë sulm”, ka shtuar Konjufca.

Po tash politika dhe shteti në kuptimin e organizimit institucional funksionon kështu, në momentin që je personaliteti kryesor shtetëror edhe politik i vendit siç ndodh me Vuçiçin në Serbi, i cili jo vetëm që pretendon se është zgjedhur përmes zgjedhjeve demokratike, por edhe ka metoda dhe mekanizma jashtë-institucional se si e mban pushtetin, për një njeri të tillë i cili e kontrollon atë që quhet shteti i thellë në Serbi prej mekanizmave të inteligjencës e deri te krejt sektori i sigurisë, vetëdija që një sulm i tillë do të ndodhë është i barabartë me organizimin e tij”, ka thënë më tej Glauk Konjufca.