Vendosni fjalën kyçe....

Lidhet kontrata për mbikëqyrjen e dy loteve 48 milionë euro të Elbasan-Qafë Thanë


Pas lidhjes së kontratave për zgjerimin në lotet III dhe IV në rrugën Elbasan-Qafë Thanë me një vlerë totale prej 5 miliardë lekësh apo 48 milionë euro, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi edhe dy kompanitë që do të mbikëqyrin këto kontrata.

Konkretisht bëhet fjalë për “Supervizion punimesh Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafe- Thane (Faza III) ku ARABEL – STUDIO do të mbikëqyrë ecurinë e lotit III ku do të punojë kompania 2T dhe Supervizion punimesh Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza IV)” ku fituese është A & E ENGINEERING sh.p.k. Kjo e fundit do të mbikëqyrë kontratën për zgjerimin në lotin IV ku punimet do të bëhen nga A.N.K.

Rruga Elbasan-Qafë Thanë ka nisur tashmë prej disa kohësh dhe në terren po punohet për lotin 1 dhe 2 ku punimet sipas inspektimeve të zhvilluara në terren dhe gjatë daljeve publike të përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ARRSH kanë pasur ecuri të shpejtë. Projekti në total ka një gjatësi 50.12 kilometra.

Rruga dhe lidhja me Elbasan-Lekaj

“Nga ana e Investitorit (ARRSH) kërkohet që të realizohet një ndërhyrje në përmasimin e kushteve të lëvizjes në segmentin ekzistues rrugor nga Dalja e Qytetit te Elbasanit deri në Qafë Thanë. Gjatësia totale e projektit është 50.12 km. Kjo rrugë i shërben banorëve jo vetëm të zonës midis Elbasanit dhe Korçës, por edhe të gjithë turistëve vendas dhe te huaj, të cilët frekuentojnë zonën e Pogradecit dhe Korçës si dhe shtetasve të huaj dhe vendas të cilët lëvizin në drejtim të Greqisë dhe Maqedonisë.

Rruga nacionale ekzistuese Elbasan – Qafë Thanë ka gjerësi totale 9 – 9.5m (8 m gjerësi asfalti dhe bankina me gjerësi 0.5-0.75). Ashtu siç u përmend edhe më sipër, rruga ekzistuese ka nevojë për ndërhyrje në elementët gjeometrik, shtresat rrugore, në sistemin e trotuareve, ndriçimit rrugor të zonave urbane, sistemin e kanalizimeve të ujërave të shiut, sinjalistikë vertikale dhe horizontale.

Për shkak se kjo rrugë është gjithashtu pjesë e korridorit 8 dhe duke qenë se pala Maqedonase ka avancuar shumë duke kryer Projekt-Zbatimin e rrugës Qafë-Thanë-Struge-Gostivar me parametrat e një rruge të Kategorisë A, ARRSH nëpërmjet Vendimit të Këshillit Teknik pas miratimit të fazës së Projekt-Idesë, ka vendosur kryerjen e projekt-zbatimit sipas parametrave teknik të Kategorisë B (Interurbane Kryesore )” thuhet në dokumentet zyrtare të ARRSh sa i takon projektit.

Projekti për zgjerimin e Elbasan-Qafë Thanë lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe në mes të këtij viti u bë e ditur se pika e daljes në Maqedoni kishte ndryshuar nga projekti fillestar. Kjo pikë e re është e vendosur afër Urës së Bushtricës.

Projektit i shtohet një tunel 3 kilometra i gjatë. Vitin e ardhshëm është parashikuar të nisë projektimi dhe zgjerimi i rrugës nga Elbasani në Lekaj me dalje në Rrogozhinë për të krijuar kështu akses të mirëfilltë në korridorin VIII teksa lidhja do të jetë e dyfishtë edhe përmes Kashar-Lekaj./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor