Vendosni fjalën kyçe....

Lufta në Gaza do zgjasë me muaj, thotë Izraeli


Lufta e Izraelit kundër Hamasit do zgjasë me muaj, tha shefi ushtarak i Izraelit, pasi një varg incidentesh jashtë Rripit të Gazës theksuan rrezikun e përhapjes së konfliktit.

Shefi i Shtabit të Izraelit, Herzi Halevi, u tha gazetarëve në një deklaratë televizive të martën nga kufiri i Gazës se lufta do vijojë “për shumë muaj”.

“Nuk ka zgjidhje magjike, nuk ka rrugë të shkurtra në çmontimin e një organizate terroriste, vetëm luftime të vendosura dhe këmbëngulëse,” tha Halevi.

“Ne do e arrijmë gjithashtu udhëheqjen e Hamasit, nëse do duhet një javë apo nëse do duhen muaj.” Veprimet izraelite u shtuan rreth Krishtlindjeve, veçanërisht në një zonë qendrore në jug të rrugës ujore sezonale që ndan Rripin e Gazës. Ushtria izraelite u tha civilëve që të largoheshin nga zona, megjithëse shumë thanë se nuk kishte vend të sigurt për të shkuar.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për bombardimet e vazhdueshme të Gazës së Mesme nga forcat izraelite, e cila ka marrë më shumë se 100 jetë palestineze që nga pragu i Krishtlindjes”, tha të martën zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Seif Magango.

“Forcat izraelite duhet të marrin të gjitha masat në dispozicion për të mbrojtur civilët. Paralajmërimet dhe urdhrat e evakuimit nuk i shfajësojnë ata nga të gjitha detyrimet e tyre të së drejtës humanitare ndërkombëtare.”

Që kur Hamasi vrau 1200 njerëz dhe kapi 240 pengje më 7 tetor, në ditën më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është përgjigjur me një sulm që ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës së sunduar nga Hamasi.

Autoritetet shëndetësore palestineze thonë se rreth 21,000 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite, me mijëra të tjerë të varrosur nën rrënoja. Pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e enklavës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Izraeli thotë se po bën ç’është e mundur për të mbrojtur civilët dhe fajëson Hamasin se i ka vënë ata në rrezik duke operuar mes tyre, gjë që Hamasi e mohon.

Por edhe aleati më i ngushtë i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, ka thënë se duhet të bëjë më shumë për të zvogëluar vdekjet e civilëve nga ato që presidenti Joe Biden i ka quajtur “bombardim pa dallim”.