Vendosni fjalën kyçe....

Rinasi shndërrohet në histori suksesi për ekonominë shqiptare


Në 18 dhjetor, Tirana International Airport raportoi pasagjerin e 7 miliontë për vitin 2023. Rekordi absolut është rezultat i një rritje të jashtëzakonshme të transportit ajror në Shqipëri, vecanërisht pas pandemisë. Sot, në territorin e Shqipërisë udhëtojnë dy herë më shumë njerëz përmes ajrit se sa vetëm 4 vjet më parë,

E ndërsa të thëna kështu këto duken thjesht numra pasagjerësh pa kuptim, pas tyre ka një histori të tërë për t’u treguar. Një histori, e cila prek jo vetëm ata që udhëtojnë, por shumë më tepër se kaq.

Për shumë kohë, studiuesit kanë debatuar gjerësisht mbi impaktet që zhvillimi i transportit ajror ka në ekonominë e një vendi. Por përgjigjen më shteruese për këtë debat e dha një studim i Këshillit Europian të Aeroporteve.

Në vitin 2018, ACI Europe gjeti se rritja me 10 për qind e trafikut të pasagjerëve në një vend zgjeron me 0.5 për qind ekonominë e tij. Ndërsa dyfishimi i numrit të udhëtarëve do të thotë të paktën 5 për qind më shumë PBB.

Për ta thjeshtuar edhe më shumë, në rastin e Shqipërisë, dyfishimi i pasagjerëve që udhëtojnë përmes Rinasit do të thotë rreth 1 miliardë euro më shumë Prodhim Ekonomik.

Për më shumë se dy dekada, transporti ajror në Shqipëri ka qenë peng i një monopoli të dyfishtë, që ushqente vetveten. I pari ishte monopoli aeroportual, i cili diktonte tarifat e larta duke përjashtuar nga tregu linjat low-cost. I dyti ishte monopoli i linjave tradicionale, të cilat ndanin tregun mes tyre.

Por ky qerthull negativ më në fund duket se është thyer. Në vitin 2020, Tirana International Airport, kompania që ka me koncesion aeroportin e Rinasit, u shit nga një kompani e regjistruar në parajsat fiskale të Hong Kongut tek grupi shqiptar Kastrati për 74 milionë euro.

Pas blerjes, qeveria shqiptare vendosi të zgjasë me 13 vjet afatin e koncesionit. Për shumë njerëz zgjatja pa garë e koncesionit ishte një aferë korruptive. Por qeveria u justifikuar se në këmbim të zgjatjes së afatit, pronarët e rinj të koncesionit morën përsipër të ulnin tarifat si dhe të investonin 100 milionë euro për zgjerimin e aeroportit dhe modernizimin e shërbimeve të tij.

Ndryshimi i pronësisë së konccesionit u pasua nga afrimi i dy linjave me kosto të ulët. Së pari ishte Wizz Air, kompania hungareze e cila theu tabunë e biletave të lira në tregun shqiptar të fluturimeve ajrore. Ndërkohë që pak muaj më parë në tregun shqiptar hyri edhe Ryanair.

Tani aeroporti i Rinasit po funksionon si një biznes normal dhe jo një monopol grabitqar. Dhe la një fakt shumë të thjeshtë që e tregon qartë këtë. Në vitin 2019, Rinasi kishte 3.5 milionë pasagjerë, ndërsa kompania koncesionare fitonte 3 miliardë lekë. Vitin e kaluar kishte thuajse dy herë më shumë pasagjerë, ndërsa fitimi ishte po 3 miliardë.

Ndërsa linjat low-cost vazhdojnë të zgjerohen duke sjellë cmime më të lira, numri i pasagjerëve pritet vetëm të rritet më tej. Kjo është një histori win-win, nga e cila përfitojnë të gjithë. Por ajo nuk duhet të mbarojë këtu.

Aeroporti i Rinasit po shkon drejt ezaurimit total të kapaciteteve. Dhe tashmë është e qartë se kërkon shumë më tepër investime se sa 100 milionë eurot e parashikuara në marrëveshjen e zgjatjes së koncesionit.

Pak ditë më parë, kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil deklaroi se në tryezë janë dy opsione, shtimi i terminalit ekzistues ose ndërtimi i një terminali të dytë. Cilido qoftë vendimi, pasojat e tij do të jenë përtej aeroportit dhe kompanisë që zotëron koncesionin.

Ka ardhur koha që bizneset, të cilat zotërojnë sektorët strategjikë të vendit, të mendojnë përtej fitimit të shpejtë. Sepse vendimarrja e tyre, i prek të gjithë. Rinasi po shndërrohet në histori suksesi për ekonominë shqiptare. Por është vetëm në gjysmë të rrugës sepse mund të jetë edhe më shumë se kaq. Për të gjithë. Shqipëria e para, shkruan Abc news.