Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dhe Irani do të përdorin monedhat e tyre në tregti


Irani dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për të tregtuar në monedhat e tyre në vend të dollarit, njoftoi këtë të mërkurë media shtetërore iraniane.

Marrëveshja, thanë ata, u finalizua gjatë një takimi midis guvernatorëve të bankave qendrore të dy vendeve në Rusi. Si Irani ashtu edhe Rusia janë subjekt i sanksioneve të SHBA-së.

“Bankat dhe institucionet financiare tani mund të përdorin infrastrukturën, duke përfshirë sistemet ndërbankare që nuk janë pjesë e sistemit ndërkombëtar ndërbankar SWIFT për të kryer transaksione në monedha vendase,” raportoi media shtetërore.

Anëtarët e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EEU) të udhëhequr nga Rusia nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë me Iranin në 25 dhjetor.

Irani është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kremlinin pasi sanksionet perëndimore të vendosura për luftën e Moskës në Ukrainë kanë kufizuar rrugët tregtare të Rusisë jashtë vendit dhe e kanë detyruar atë të kërkojë tregje jashtë Evropës.

Autoritetet iraniane kanë thënë se bashkëpunimi ushtarak me Rusinë po zgjerohet. Irani kishte thënë në nëntor se kishte finalizuar marrëveshjet që Rusia ta furnizonte atë me avionë luftarakë Su-35, helikopterë sulmues Mi-28 dhe avionë trajnues Yak-130.