Vendosni fjalën kyçe....

Artistët francezë letër të hapur në mbrojtje të Gerard Depardieu: Mjaft me linçime


Mbi 50 aktorë, shkrimtarë, producentë dhe muzikantë francezë kanë nënshkruar një letër të hapur duke bërë thirrje për t’i dhënë fund “linçimit publik” të legjendës së filmit Gerard Depardieu, i cili është akuzuar për përdhunim dhe ngacmim seksual.

Letra vjen pas publikimit të një filmi dokumentar të titulluar “Depardieu: Rënia e një Katallani”, i cili intervistoi 16 gra që pretendonin se 74-vjeçari i kishte ngacmuar, përkëdhelur ose sulmuar seksualisht. Depardieu ka mbetur nën hetim për një përdhunim të dyshuar që nga viti 2020, por mohon akuzat kundër tij.

Në një letër të publikuar nga Le Figaro të hënën, e cila u nënshkrua nga 56 persona, duke përfshirë aktorët Pierre Richard, Vincent Perez, Carole Bouquet dhe këngëtaren Carla Bruni, të famshmit francezë këmbëngulën se “drejtësia duhet të bëjë punën e saj” dhe se “përroi i urrejtja” ndaj Depardieu duhet të ndalet.

“Gerard Depardieu është ndoshta aktori më i madh. Gjiganti i fundit i madh i kinemasë. Nuk mund të heshtim më përballë linçimit ndaj tij”, thanë nënshkruesit. Ata argumentuan më tej se dënimi publik i aktorit binte ndesh me parimin e “pafajësisë derisa ajo të provohet ” dhe se Depardieu duhet të përballohet me të si çdo person tjetër.

“Kur ne sulmojmë Gerard Depardieu në këtë mënyrë, është arti që ne sulmojmë”, thuhet në letër, duke argumentuar se aktori, i cili ka luajtur në rreth 200 filma, ka dhënë një kontribut të pamatshëm në historinë dhe kulturën franceze gjatë gjithë jetës së tij e vendi i aka borxh trajtimin me dinjitet.

Letra përfundon me një thirrje për të “kujtuar të gjitha të mirat që bëri ky njeri”, duke thënë se “askush nuk do të jetë në gjendje të fshijë kurrë” shenjën e aktorit në histori. Çdo gjë tjetër, sipas nënshkruesve, duhet të trajtohet ekskluzivisht nga sistemi i drejtësisë.

Javën e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron doli gjithashtu në mbështetje të Depardieu, duke deklaruar se ai nuk do mbështeste “gjuetinë” kundër aktorit legjendar. Ai gjithashtu kritikoi ministren franceze të Kulturës Rima Abdul Malak për thirrjen që Depardieu të hiqej nga Urdhri i Legjionit të Nderit – çmimi më i lartë shtetëror i Francës – duke thënë se ishte “pak e tepërt”.

Pas publikimit të letrës, disa nga ata që e nënshkruan atë janë përballur gjithashtu me një reagim të ashpër nga grupet e të drejtave të grave. Kjo përfshin aktorin legjendar Pierre Richard, i cili humbi pozicionin e tij si ambasador për shoqatën Les Papillons, e cila punon me fëmijët viktima të dhunës.