Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan: Nuk ka asnjë ndryshim mes veprimeve të Hitlerit dhe Netanyahut


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se nuk ka “asnjë ndryshim” midis asaj që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po bën në sulmet disamujore në Gaza dhe asaj që bëri dekada më parë udhëheqësi nazist, Adolf Hitler.

“Si e dalloni ju (Netanyahun) nga Hitleri… Këto (veprime) do të na bëjnë ta shohim edhe Hitlerin. A ka ndonjë gjë që bën Netanyahu më pak se Hitleri… Jo”, tha presidenti Erdogan në një ceremoni të ndarjes së çmimeve shkencore në kryeqytetin Ankara, raporton Anadolu.

Duke iu referuar akademikëve në SHBA dhe gjetkë që pushohen nga puna ose censurohen për mbrojtjen e tyre ndaj palestinezëve, Erdogan theksoi se ashtu si 80 vjet më parë në Gjermaninë naziste, sot studiuesit në mbarë botën që kanë guximin të dënojnë shtypjen dhe persekutimin në Gaza po përballen me presione dhe kërcënime.

Për studiuesit që përballen me presion për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor në Gaza, tha Erdogan, dyert e universiteteve turke janë të hapura për ta.

“Ne e kuptuam se institucionet që flasin shumë dhe shpenzojnë buxhete të mëdha, janë plotësisht boshe kur bëhet fjalë për Izraelin dhe mizoritë e tij. Nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së te organizatat e mediave, nga BE-ja te grupet gazetareske, të gjitha institucionet që shërbejnë si apostuj të demokracisë kanë dështuar (për sulmet izraelite në Gaza)”, tha ai.

Presidenti turk theksoi se jo vetëm organizatat ndërkombëtare, por edhe universitetet prestigjioze perëndimore kanë dështuar në çështjen e Gazës.

Izraeli nisi një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë, duke vrarë të paktën 21.110 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 55.240 të tjerë.

Sulmi e ka shndërruar Gazën në gërmadha, me 60 për qind të enklavës të dëmtuar ose shkatërruar dhe me gati 2 milionë njerëz të zhvendosur mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Më tej, presidenti Erdogan foli edhe për sulmet terroriste, duke theksuar se këto sulme nuk do të mund të ndalojnë ngritjen e Turqisë.

“Unë dua të dihet se sulmet e tmerrshme terroriste, që synojnë të mbysin përparimin e Turqias, kurrë nuk do të jenë në gjendje të prishin marshimin tonë të shenjtë. Nuk ka dyshim se ky shekull në të cilin ndodhemi do të jetë epoka e kombit dhe shtetit tonë”, tha Erdogan.

Duke kujtuar se 12 ushtarë turq u vranë në një sulm terrorist të PKK-së javën e kaluar, presidenti Erdogan tha se në vetëm 36 orë Turqia shënjestroi gjithsej 54 terroristë dhe shtoi se “gjaku i martirëve” nuk do të shkojë kot.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Turke njoftoi se vendi kreu operacione ajrore në 71 objektiva në Irakun verior dhe Siri.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në Irakun verior për të komplotuar sulme ndërkufitare në Turqia dhe ky grup terrorist ka një degë siriane, të njohur si YPG-ja.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.