Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi ndaj Ilir Beqajt/ SPAK mësyn godinën e ‘Delta Pharma’, kontrolle edhe në kompaninë ‘Avicena’


Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe forca policie zbarkuan sot pasdite (Ora 15:00)  në zyrat e kompanisë farmaceutike “Delta Pharma” në Kashar, Tiranë.

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se SPAK po verifikon kontratën e ‘Delta Pharma’ për furnizim të Ministrisë me 150 milionë lekë medikamente.

Mësohet se po kryhen kontrolle dhe tek kompania Avicena dhe farmacitë “Ditë e Natë”, që janë pjesë e kompanisë Delta Pharma.

Raportohet se kontrolli po bëhet në kuadër të hetimet ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Kujtojmë se SPAK e akuzon Beqajn për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit, ndaj Prokuroria e Posaçme zyrtarizoi hetimin për ish-ministrin e Shëndetësisë, lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.

Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.