Vendosni fjalën kyçe....

Rikthimi i çështjes së ‘Vulës’ dhe ‘Logos’ në Apel, juristi i PD zyrtare: Do të zgjidhet çështja në themel


Sekretari për çështjet ligjore në PD, Indrit Sefa ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila riktheu për shqyrtim në Apel çështjen e logos dhe vulës së partisë.

Në një reagim, Sefa thekson se vendimi i djeshëm do të zgjidhë në themel çështjen dhe do t’i japë përgjigje kërkesave të PD-së.

REAGIMI I SEFËS

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë, që detyron Gjykatën e Apelit të zgjidhë në themel çështjen dhe t’i japë përgjigje kërkesave të Partisë Demokratike, është i njëjtë me qëndrimin e mbajtur nga ana jonë para Gjykatës së Apelit.

Gjatë gjykimit në Apel, Partia Demokratike kërkoi shqyrtimin në themel të çështjes dhe zgjidhjen përfundimtare të saj nga ajo Gjykatë, kërkesë që nuk u mor parasysh.

Prej më së dy vitesh, Partia Demokratike ka kërkuar të përballet me të gjitha provat në një debat në seancë gjyqësore, e drejtë e cila është mohuar me anë të veprimeve dhe vendimeve procedurale, që më në fund Gjykata e Larte i pranoi si të drejta.

Vendimi i Gjykatës së Lartë detyron Gjykatën e Apelit për zgjidhjen e shpejtë dhe përfundimtare të çështjes duke bërë të mundur vendosjen e drejtësisë së vonuar për çeshtjen gjyqësore të PD-së.

Ky ishte një hap shumë pozitiv për të gjithë shqiptarët dhe në veçanti demokratët që në një kohë të shkurtër do të shohin të përfundojë një teatër i stisur nga aleanca e kullave që kërkojnë ta mbajnë PD-në peng të interesave të tyre.

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë nuk cënon në asnjë formë dhe mënyrë legjitimitetin e organet drejtuese dhe funksionimin e strukturave të Partisë Demokratike, e cila vijon procesin e riorganizimit të brendshëm, përgatitjen e platformës dhe programit politik të saj, identifikimin dhe propozimin e kandidatëve për deputetë dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia Demokratike i kërkon Gjykatës së Lartë që në një kohë sa më të shkurtër të zbardhë vendimin e djeshëm dhe t’i japë mundësi Gjykatës së Apelit të shqyrtojë sa më shpejtë këtë çështje dhe ti japë zgjidhje përfundimtare.