Vendosni fjalën kyçe....

Rumania dhe Bullgaria pajtohen për të hyrë pjesërisht në Schengen


Rumania dhe Bullgaria kanë arritur marrëveshje me Austrinë për t’iu bashkuar zonës për lëvizje të lirë, Schengen nga ajri dhe deti, prej marsit të vitit 2024, ka thënë Ministria e Brendshme e Rumanisë.

Diskutimet për kufijtë tokësorë pritet të vazhdojnë vitin tjetër.

Zona Schengen përbëhet prej 27 vende evropiane – 23 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, plus vendet joanëtare, Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra – nëpër të cilat nuk ka kontrolle në kufijtë e përbashkët.

Katër vende anëtare të BE-së – Rumania, Bullgaria, Qiproja dhe Irlanda – nuk janë pjesë e Schengenit.

Kryeministri rumun, Marcel Ciolacu, e ka mirëpritur marrëveshjen për hyrje të pjesshme në Schengen.

“Prej marsit, rumunët do të përfitojnë prej Schengenit nga udhëtimet prej ajrit dhe detit”, ka thënë ai.

“Jam i bindur që më 2024 do t’i finalizojmë negociatat edhe për kufijtë tokësorë”.

“Pas negociatave të gjata dhe të komplikuara, ne kemi arritur marrëveshje në parim me Austrinë për pranim të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Schengen, fillimisht përmes kufijve ajrorë dhe detarë”, ka thënë kryeministri bullgar, Nikolay Denkov, më 28 dhjetor.

Austria e ka kundërshtuar zgjerimin e zonës Schengen në Rumani dhe Bullgari, në një takim të ministrave të Brendshëm të BE-së, vitin e kaluar, duke thënë se migrimi ilegal është ende në shkallë të lartë dhe që dy shtetet duhet të bëjnë më shumë para se të anëtarësohen.

Megjithatë, Austria nuk ka pasur asnjë pengesë që Kroacia t’i bashkohej Schengenit.

Pasi janë pajtuar për masa më të rrepta të sigurisë dhe sigurimit të mbështetjes së vendeve tjera anëtare, Austria ka propozuar për këto vende të ashtuquajturin “Schengen ajror”.

Megjithatë, kjo hyrje e pjesshme ka pak mundësi të qetësojë opinionin publik në këto dy vende të BE-së, meqë pjesa më e madhe e udhëtimeve kryhet me transport rrugor./REL